Tronditet shtypi grek, mbyllet televizioni “Mega”

Në Greqi, punonjësit e televizioneve private dhe publike, të mërkurën do të ndërpresin punën, për katër orë, në shenjë solidariteti me kolegët e tyre të televizionit Mega Channel, i cili do të mbyllet përfundimisht.

Të martën në mbrëmje, këshilli kombëtar i Radiotelevizionit publikoi vendimin e vet, pas të cilit platforma dixhitale, DIGEA, duhet që brenda afateve ligjore t’i ndërpresë aksesin e transmetimit.

Edhe pse për dy dekada ishte televizioni më i fuqishëm në vend, Mega Channel nuk mundi të marrë licencë transmetimi si televizion kombëtar, për shkak të huarave të pashlyera ndaj bankave që arrijnë në rreth 150 milionë euro.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vitet e fundit të ardhurat e këtij televizioni ranë në mënyrë të ndjeshme. Pronarët e vet, ndër miliarderët më të shquar të vendit, nuk u treguan të predispozuar për të gjetur rrugët e shpëtimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

420 punonjësit e kanalit punuan për dy vjet pa u paguar dhe vazhduan transmetimet, duke shpresuar deri në minutën e fundit. Të martën ata ishin tubuar para godinës së KKRTV, në pritje të vendimit.

“Kemi dy vjet pa u paguar. Paratë tona janë bllokuar nga bankat. Bankat kanë marrë nga puna jonë 60 milionë euro dhe nuk na kanë dhënë as 7 milionët që janë pagat tona”.

Punonjësit apeluan të mërkurën paradite në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të këshillit kombëtar të radiotelevizionit. Por ka shumë pak gjasa që apelimi i tyre të marrë përgjigje pozitive. /Ora News/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?