Trump gradon Hoyt Yee – Kreu i Byrosë së Euroazisë sërish me një mision special në Ballkan
Kreu i Byrosë së Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee është ngarkuar sërish me një mision special në Ballkan. Vendimi është marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe është publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë. Zyrtari i lartë amerikan është emëruar gjithashtu si kreu i delegacionit amerikan në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka promovuar dje sërish me një mision special në Ballkan kreun e Byrosë së Euroazisë në Departamentin Amerikan të shtetit, Hoyt Yee. Zyrtari i lartë amerikan është emëruar kreu i delegacionit amerikan në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Vendimi është i publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë dhe përbën një dekretim më shumë për ta veshur me pushtet diplomatin, i cili arriti të zgjidhë personalisht dy kriza të mëdha, atë të Maqedonisë ku detyroi Presidentin Gjeorgje Ivanov që t’i japë mandatin e krijimit të qeverisë së re Zaev, ndërkohë që nxori PD-në nga çadra dhe detyroi të bëjë pakt me Edi Ramën për zgjedhjet e 25 qershorit.
Në delegacionin që Trump ka emëruar për të marrë pjesë në ceremoninë e sotme në Beograd, përveç Hoyt Yee, bën pjesë edhe ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, si dhe Drejtori për Ballkanin dhe Kaukazin i Këshillit Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë, Mark Tervakoski.
Zyrtari i lartë i DASH, përveçse do të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të ri serb, pritet të takojë edhe të emëruarën si Kryeministre të Serbisë, Ana Brbabiç, e cila shikohet si një zgjidhje jo sipas kërkesave të Moskës.
Vendimi i administratës amerikane vjen një muaj pasi disa media, veçanërisht ato pranë Partisë Demokratike, deklaruan se Hoyt Brian Yee po zhvillonte vizitën e tij të fundit në rajon, pasi sipas tyre ai ishte shkarkuar nga detyra.