Tsipas për mosmarrëveshjen me Maqedoninë: Koha që të marrim vendimet e nevojshme

Kryeministri grek Aleksis Tsipras vlerëson se vendi i tij ndodhet para një “shansi” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Maqedoninë, për çështjen e emrit kushtetues të vendit fqinj. 

“Tashmë ka ardhur koha që të marrim vendimet e nevojshme”, nënvizon Tsipras në një deklaratë që do të botohet nesër në një të përjavshme vendase, por që u u publikua 24 orë më përpara nga zyra e shtypit e kryeministrit grek.

Tsipras e fillon deklaratën e vet me konstatimin se 2018-a është një vit i rëndësishëm për Greqinë, jo vetëm pse vendi po del nga programi i shpëtimit, por edhe sepse “hapet një dritare shansi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për çështjen e emrit”.

“Jam i bindur se ka ardhur koha të marrim vendimet e nevojshme, kështu që të justifikojmë rolin e Greqisë si forcë lidere në Ballkan, por edhe si një shtyllë stabiliteti më gjerë në rajon”, vazhdon kryeministri grek.

Sipas tij, “kjo është një sfidë ekonomike, por edhe gjeopolitike”.

“Greqia duhet të konsolidojë një identitet të ri dinamik: atë të një vendi modern demokratik, që investon në zhvillimin, paqen dhe ndërtimin e besimit. Të një vendi që avancon dhe zgjidh probleme”, nënvizon Aleksis Tsipras.

Në kohën që opozita po e sulmon ashpër qeverinë pikërisht për zhvillimet lidhur me Maqedoninë, Tsipras –në deklaratën e tij- e cilëson qëndrimin e Demokracisë së Re si “apatik dhe pa përgjegjësi”.

“Shpresoj që ta kuptojnë se çështjet me rëndësi kombëtare nuk ofrohen për lojëra politike. Kështu që, nëse do të ketë një perspektivë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, të krijohen premisat e një konsensusi të gjerë parlamentar”, përfundon Tsipras.

Deklarata e kryeministrit grek bëhet vetëm pak orë pasi zoti Tsipras drejtoi një mbledhje, ku u shqyrtua ecuria e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Pas mbledhjes, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, deklaroi se u diskutua mbi çështjet që janë inkuadruar në paketën e zgjidhjeve me Shqipërinë. “Besoj se javët e fundit kemi bërë hapa të mirë dhe pozitivë”, tha ministri i jashtëm grek.

Sa i përket mosmarrëveshjes për emrin e Maqedonisë, Kotzias përsëriti se Athina “mbështet dhe negocion për një emër të përbërë dhe unik për gjithë përdorimet”.

Në fakt, qëndrimi i Athinës konsiston në ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, gjë ndërkaq e cila konsiderohet e papranueshme nga fqinji verior.

SHKARKO APP