Tsipras kërkon votëbesimin në Parlament
Parlamenti grek është shndërruar në një arenë debatesh politike, në seancën dyditore për votëbesimin e qeverisë që ka kërkuar kryeministri Tsipras, pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Panos Kammenos, nga koalicioni qeveritar, dhe largimit të partisë së tij “Grekët e pavarur”, që kundërshton marrëveshjen e Prespës.
Tsipras, që bëri një apel të apasionuar në Parlament për mbështetje, tha se është akti më i drejtë dhe detyrë e deputetëve të mbështesin këtë marrëveshje, pavarësisht nga kostoja politike dhe të japin votëbesimin.
Nëse kryeministri grek nuk arrin të fitojë mbrëmjen e sotme, shumicën prej 151 votash, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Tsipras, me 145 deputetë në Parlament, ka ende mbështetjen e 4 ligjvënësve nga partia e Kammenosit, një deputeti të pavarur dhe një deputeti të qendrës së majtë.