Tsipras në Beograd: Kosova po i hedh benzinë zjarrit
Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, tha se “Kosova është duke i hedhur benzinë zjarrit” me veprimet e fundit, konkretisht tarifën doganore dhe vendimin për të formuar ushtrinë.
Në një konferencë të përbashkët në Beograd pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Tsipras ka reaguar ndaj vendimit të Kosovës për të vendosur tarifa 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina dhe formimit të ushtrisë.
“Kosova po i hedh benzinë zjarrit”, deklaroi Tsipras, duke thënë se këto veprimet të fundit të Kosovës nuk do t’i sjellin stabilitet rajonit, por, përkundrazi, ato shkaktojnë destabilitet.
Tsipras tha se i dënon këto hapa të Kosovës dhe nënvizoi se mbështet Serbinë, e cila, siç tha ai, është duke avancuar në rrugën e zgjidhjes. Ai po ashtu deklaroi se puna e presidentit serb Vuçiç dhe qeverisë serbe është e vështirë dhe tha se Serbia synon arritjen e stabilitetit në rajon.
Duke folur edhe rreth marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, kryeministri grek tha se Greqia është bërë një nga elementet e stabilitetit në rajon me këtë marrëveshje.
Sipas tij, marrëveshja në fjalë do të jetë katalizator edhe i marrëdhënieve Greqi-Serbi.
“Nëse themi se Maqedonia përfaqëson një zonë gri midis nesh, nuk do të ekzagjeronim. Tashmë ajo nuk është mur mes nesh, por do të jetë një urë. Kjo marrëveshje do të mundësojë t’i forcojmë marrëdhëniet tona me projekte që do të na lidhin me njëri-tjetrin”, tha Tsipras.
Ai deklaroi se marrëveshja e parë ndërkombëtare midis Maqedonisë dhe Greqisë do të nënshkruhet me pjesëmarrje edhe të Serbisë, ndërsa paralajmëroi formimin e një korridori hekurudhor midis Selanikut, Shkupit, Beogradit dhe Budapestës.
Kryeministri grek i cilësoi si tejet të mira marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë dhe tha se populli serb e konsideron Greqinë si aleat dhe mik si në politikë, ashtu edhe në fushën e ekonomisë.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Vuçiç falëndëroi Greqinë për, siç tha ai, mbështetjen ndaj integritetit territorial të Serbisë dhe mirëkuptimit që shfaq ndaj pozicionit të Serbisë në lidhje me Kosovën, ndërsa shtoi se Greqia mbështet po ashtu integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Me punimet në fushën e ekonomisë dhe fusha të tjerë, Serbia nuk i zhgënjen mbështetësit e saj”, tha Vuçiç.