Turqi, dhjetëra të arrestuar pas sulmit në Ankara
Dhjetëra persona të dyshuar kanë përfunduar në pranga gjatë natës së kaluar dhe mëngjesin e sotëm si rrjedhojë e një operacioni anti-terrosist të policisë turke, pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në Ankara në të cilin 37 persona humbën jetën, raporton Anadolu Agency (AA).
Aksionet në Stamboll dhe Ankara po zbatohen nga policia speciale për luftën kundër terrorizmit, ku janë arrestuar dhjetëra pjesëtarë të organizatës terroriste PKK.
Aksioni po ndihmohet edhe nga helikopterë, ndërkohë që përveç arrestimeve janë bërë edhe shumë bastisje në adresa të ndryshme.
Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehmet Muezzinoglu, ka konfirmuar se sot në mëngjes numri i të vdekurve nga sulmi i mbrëmshëm është rritur në 37. Sipas të dhënave të fundit, 120 persona janë plagosur.
Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Efkan Ala, ka dënuar ashpër sulmin.
“Sulmi terrorist është kryer me aktivizimin të një automobil-bombe në lëvizje në stacionin e autobusëve në lagjen Kizilay në Ankara. Objektiv i sulmit kanë qenë civilët të cilët kanë qenë duke pritur në stacion. Dënojmë ashpër këtë vepër makabër. Edhe një herë porosisim ata të cilët qëndrojnë mbrapa tij se nuk do të kenë sukses në qëllimet e tyre. Ky popull ka tejkaluar shumë probleme” deklaroi Ala gjatë deklaratës së tij të mbrëmshme.