Turqi/ Gjykata mban në burg dy ushtarë grekë
Drejtësia turke ka mbajtur në gjendje burgimi dy ushtarë grekë të akuzuar për spiunazh, një veprim ky që mund të acarojë më tej marrëdhëniet me Athinën, që ka kërkuar kthimin e dy efektivëve të saj në atdhe.
Një gjykatë në Turqi ka vendosur këtë të premte të mbajë në burgim dy ushtarë grekë të cilët u ndaluan pasi kishin hyrë në territorin turk. Vendimi i marrë këtë të premte ka gjasa që të acarojë më tej marrëdhëniet e tensionuara mes Athinës dhe Ankarasë, që muajin e kaluar kanë arritur pranë konfrontimeve.
Sipas mediave turke, mbajtja në burg e dy ushtarakëve ka ardhur pavarësisht thirrjeve të palës greke për një kthim të shpejtë të tyre në atdhe. Qeveria helene ka deklaruar se dy ushtarët po kryenin një patrullim normal dhe kishin ngatërruar kurs për shkak të motit të keq. Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” ka bërë me dije se ushtarët u burgosën nën dyshime të bazuara se po kryenin spiunazh ushtarak, duke hyrë në një zonë të ndaluar.
Nga ana e tyre, dy efektivët i thanë trupës gjykuese se kishin përfunduar në territorin turk pasi kishin ndjekur gjurmët në dëborë. Sipas burimeve të tjera mediatike, ata kanë pranuar se kishin fotografuar me telefonët e tyre zonën e ndaluar ushtarake dhe se fotografitë do t’ua dërgonin eprorëve të tyre. Për këtë arsye, sipas agjencisë DHA, gjykata vendosi hetimin e të dhënave në telefonët e tyre./abcnews.al