Turqia nxjerr gaz pranë Qipros – Tsipras: Do i kërkojmë BE që të sanksionojë vendin
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, tha se Greqia dhe Qipro do t’i kërkojnë partnerëve europianë që të sanksionojnë Turqinë, nëse zbulohet se Ankaraja ka nisur nxjerrjen e gazit në perëndim të ishullit. Zbulimi i rezervave fitimprurëse të energjisë në Mesdheun Lindor, ka rritur tensionet mes Turqisë dhe Greqisë. Një anije e nxjerrjes së gazit është ankoruar në perëndim të Qipros që prej muajit Maj. Qipro dhe Greqia bëjnë të ditur se anija ka hyrë në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros, një zonë që vendi e përdor për tregti. Sipas politikanëve në Turqi, kjo zonë bën pjesë në territorin e vetë.
“Ne ramë dakord të përgatitemi për javën e ardhshme, në mënyrë që samiti i Bashkimit Europian të marrë vendimin e duhur, duke përfshirë edhe sanksionimin e Turqisë, nëse zbulohet se ka nxjerrë gaz në zonën ekskluzive të Qipros,” deklaroi Tsipras.
Greqia është një aleat i afërt i qeverisë qipriote, të drejtuar nga Nicos Anastasiades, dhe ndodhet në konflikt me Turqinë fqinje mbi çështje që lidhen me hapësirën ajrore në detin e Egjeut dhe të drejtën e shfrytëzimit të mineraleve.