Turqia pezullon të gjitha projektet e investimeve
Pas 15 vitesh ‘boom’ në sektorin e ndërtimit, qeveria në Turqi ka ngrirë të gjitha projektet e investimeve. Duke njoftuar vendimin, presidenti Erdogan ka deklaruar se synimi është kursimi i të ardhurave dhe parandalimi i rritjes së inflacionit dy shifror.
Komentet e tij, një ditë pasi Banka Qendrore rriti normat e interesit me 6.25 përqind, janë një tregues i qartë se qeveria duhet të pezullojë projektet për ndërtimin e urave, porteve dhe aeroporteve të mëdha, që kanë karakterizuar Turqinë nën qeverisjen e Erdogan.
Sidoqoftë mbetet për t’u parë nëse lëvizja do të mjaftojë për të zbutur investitorët, të cilët kanë ndikuar në rënien e lirës turke me 40 përqind përballë dollarit amerikan.
Tregjet financiare janë prej kohësh të shqetësuara për kontrollin që Erdogan ka ndaj politikës monetare, që thuhet se ka minuar përpjekjet e Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin, që aktualisht llogaritet në 18 përqind.
“Për momentin nuk do të ketë investime të reja. Mund të ketë për ato të domosdoshme, por kjo është tjetër punë. Veç atyre nuk do të ketë”, ka deklaruar Erdogan.
Presidenti i parë me pushtet ekzekutiv i Turqisë ka saktësuar se projektet që kanë avancuar deri në 70 përqind do të përfundohen, ndërsa të tjerat do të rishikohen dhe do të vendoset sipas prioriteteve.