U takua me Ramën në Moldavi, Vuçiç: Delegacioni i Kosovës nuk pranoi të takohemi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i pranishëm në Moldavi, ku u takua edhe me kryeministrin Edi Rama, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb.
Palët ishin në samitin e Komitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani. I pyetur se kur ai e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di.
“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Situata në Kosovë, së bashku me Ukrainën, u bë temë kryesore e takimit të Komitetit Politik Evropian. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiç gazetarëve.