Udhëheqësit e Kosovës kërkojnë nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese

Udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje të premten Bashkimit Evropian që të heq masat ndëshkuese ndaj saj dhe të ndëshkojë Serbinë për siç thanë veprime armiqësore ndaj Kosovës dhe largim nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian pas tensioneve të muajit maj ishin të padrejta dhe Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet për largimin e tyre.

“Ato që janë kërkuar nga Kosova për atë që e quanin depërshkallëzim, tashmë kanë ndodhur dhe masat është dashur të hiqeshin tashmë sepse janë masa që në mënyrë të padrejtë ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve tanë për shkak të projekteve që janë bllokuar të cilat kryesisht u dedikohen komunave. Për fat të keq unë pajtohem se ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga ato për të cilat janë vendosur dhe një qasje të tillë unë e kam kundërshtuar”, tha presidentja Osmani.

Ajo i bëri këto komente në një konferencë shtypi me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili tha se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për integrim në strukturat euroatlantike, duke nënvizuar se për këtë është shumë i rëndësishëm aspekti i sigurisë.

“Arritja e marrëveshjes së tërësishme për neutralizimin e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është me rëndësi thelbësore për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien në rajonin tonë, posaçërisht në kontekstin e ndërlikuar gjeopolitik në të cilin ndodhemi tani”, tha presidenti bullgar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale kërkoi heqjen e masave ndëshkuese dhe që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n. “Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte detyrimin e njohjes de facto të Kosovës” tha ai duke shfaqur shpresën se “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione Serbisë, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, dhe për heqjen dorë nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve”, që u arrit më herët gjatë këtij viti.

Marrëveshja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet të dyja vendeve, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Në përpjekje për të nxitur zbatimin e saj, udhëheqësit më të lartë evropian i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradit njohjen de facto të Kosovës.

Me 14 dhjetor Serbia tha se marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.

Bashkimi Evropian tha ndërkaq se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët dhe këshilli i ministrave të bllokut i kërkoi Komisionit Evropian përfshirjen e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.

I dërguari evropian për bisedimet mes palëve, Miroslav Lajçak, tha në një intervistë me Gazetën Express se para fundit të janarit të vitit 2024 pritet formalizimi i marrëveshjes si pjesë kritereve për anëtarësimin e Serbisë.

Propozimi për projekt statutin e Asociacionit u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Kryeministri Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme.

I dërguari evropian Lajçak tha se nënshkrimi nuk ishte i nevojshëm meqë projekt statuti është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Kryeministri Kurti shkroi të premten se në një rast të tillë, vitin e ardhshëm ai mund ta hartojë një projekt statut modern evropian, ndërsa hodhi idenë që marrëveshja e Ohrit të nënshkruhet në takimin e Këshillit Evropian që mbahet me 21 e 22 mars të vitit 2024.

Ai bëri thirrje që Brukseli dhe i dërguari evropian të merren më shumë me Beogradin në vend se të bëjnë trysni publike me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike. /VOA/

SHKARKO APP