“Ujqërit e natës” do të bëjnë turne në Serbi dhe Bosnje

Klubi i motoristëve rusë “Ujqërit e natës”, i njohur për nacionalizëm dhe besnikëri ndaj presidentit Vladimir Putin, ka njoftuar se do të bëjë një turne në Bosnje dhe Serbi në mes të marsit.

Dhjetëra anëtarë të grupit, i cili është nën sanksione të SHBA-së për shkak të rolit të tij në luftën e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, do të bëjë turne në vendet ballkanike “për të hulumtuar ndikimin kulturor të Perandorisë Ruse në Ballkan”, tha grupi në web-faqen e tij.

Ministri për Siguri Kombëtare i Bosnjës, Dragan Mektiç, i ka kritikuar më herët “Ujqërit e natës”, duke thënë se ata synojnë të frikësojnë serbët e moderuar të Bosnjës dhe joserbët, përpara zgjedhjeve në tetor.

“Ujqërit e natës” nuk janë “klub i motoristëve tipikë, ata bartin mesazhe të fuqishme politike”, ka thënë Mektiç, duke cituar raportet e mëhershme se grupi planifikon të hapë një zyrë në Banja Llukë për të monitoruar zgjedhjet.

“Ujqërit e natës” thanë se anëtarët e tyre do të vizitojnë Bosnjën dhe Serbinë për rreth nëntë ditë, nisur nga 19 marsi, në Beograd.

/REL/

SHKARKO APP