Ushtria greke e alarmuar: Turqia ka kapur dy ushtarët tanë
Përplasjet midis Greqisë dhe Turqisë sa vjen e po intensifikon dita ditës.
Së fundmi ushtria greke është alarmuar pasi ditën e djeshme, dy ushtarë grekë janë kapur në territorin turk, teksa patrullonin në zonën e Kastanies në Evros.
Siç shkruan një media greke Zougla.gr, e cila i referohet burimeve të ushtrisë greke, kapja e ushtarëve cilësohet prej tyre e qëllimshme, pasi siç shkruhet ne lajm, zona ku janë kapur ushtarët është në një zonë të pyllëzuar.
Më tej kjo media bën me dije se ushtarët e kapur gëzojnë shëndet të plotë, por thekson se në raste të tjera të ngjashme, për ngjarje të tilla në një zonë ku kufiri mund të kalohet padashje, zgjidheshin në nivele të ulëta drejtuesish,por tani është dashur ndërhyrja dhe negociatat e zyrtarëve në nivele të larta.
Zougla.gr shkruan ndër të tjera se rasti madje është trajtuar edhe në gazetat më me zë në Turqi si gazetat “Hurriyet” dhe “Milliyet” të cilat kishin në faqe kryesore titujt: “Dy ushtarë grekë u arrestuan në Evros”.
E ndërsa grekët e cilësojnë të stisur dhe të fryrë këtë rast, mësohet se autoritetet turke kanë nisur tashmë procedurat për kthimin e ushtarëve në Greqi.
Kjo “përplasje” midis dy vendeve vjen pak ditë pas incidentit në detin Egje kur një anije turke goditi atë të Greqisë.