Vala e akullt paralizon Serbinë
Për shkak të ftohtit dhe borës së madhe, janë shkëputur lidhjet rrugore me vendbanimet malore, janë evakuuar me qindra njerëz, por ka edhe të atillë, që nuk dëshirojnë të braktisin malet, ngase nuk ka kush të kujdeset për kafshët.
Nga Sevdail Hyseni
Mediet nacionale në Serbi, alarmojnë se një mot i keq me akull e ngrica do të vazhdoj edhe në ditët në vijim, duke arritur temperaturat e ulëta nga -18 deri në -25 gradë, madje në Golije të Ivanjicës, janë shënuar temperatura deri -25 gradë.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Vranjë, një komunë e cila shtrihet 17 km në afërsi të Bujanocit.
Nga Departamenti i sektorit për situata të jashtëzakonshme, Zhivko Baboviq, bëhet e ditur se në tetë komuna, tashmë është shpallur gjendje emergjente.
Jetapress, nga Bujanoci, mëson se në pastrimin e rrugëve përveç kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve janë vënë në disponim makineritë inxhinjerike të ushtrisë serbe, por nuk jepet ndonjë raport zyrtar rreth gjendjes emergjente të komunave shqiptare në jug të Serbisë, përkatësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Festa e Krishtlindjeve ortodokse në Serbi, sado që mirëpriti acarimin e motit me ndezjen e dushkut, fishekëzjarreve, armëve të nxehta dhe ngritjen e flamujve e tre gishtërinjve, të ngazëllyer se do të “ngrihet Kryqi” e do të sjell vit të mbarë e të bereqetshëm, filloi të kthehet në lemeri për shkak tallazeve të akullta, gripeve virusale dhe skamjes, që po pllakosin vendin.