Vazhdojnë protestat në Beograd: Të dorëhiqet Vuçiç
Mijëra qytetarë kanë protestuar të shtunën në Beograd kundër Qeverisë së Serbisë, në demonstratat që po vazhdojnë që nga dhjetori i vitit të kaluar, çdo fundjavë.
Protestuesit kanë brohoritur thirrje për dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiç. Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë.
Ato kishin filluar si reagim për sulmin ndaj liderit opozitar, Borko Stefanoviç i cili ishte rrahur brutalisht nga sulmues të maskuar.
Protestuesit që përfshijnë figura publike, politikanë të opozitës, profesorë universitetesh e të tjerë, kërkojnë më shumë hapësirë në televizionin publik, pastaj zbulimin e urdhëruesve dhe kryesve të, siç thonë, sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe publikimin e “planit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Vuçiç ishte tallur me protestuesit, duke thënë se ai nuk do të plotësojë kërkesat e tyre “edhe nëse pesë milionë njerëz protestojnë”. Që nga atëherë, protestat nuk janë ndalur nën sloganin “Një në pesë milion”.