Vëmendja e Shqipërisë për shqiptarët etnikë në shtetin e ri të NATO-s, Malin e Zi
Nga Denion Ndrenika
Që prej 5 qershorit Mali i Zi hyn zyrtarisht në NATO. I 29-i pasi kryeministri Dushko Markoviq t’ia dorëzojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dokumentacionin e anëtarësimit në prani të zëvendëspresidentit Majk Pens dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg.
Mali i Zi ta gëzojë, por është me vend që të mos harrojë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e kanë penguar, ndonëse pak ose aspak i ka respektuar. Mbi këtë po shkruaj…
Në 28 maj 2016 e pyeta Pandeli Majkon përse Shqipëria nuk e kushtëzonte anëtarësimin e Malit të Zi dhe shtetit maqedonas në NATO, përderisa të drejtat e shqiptarëve janë seriozisht jo fort të kënaqshme?
Arsyen pse e pyeta do ta jap në fund të shkrimit, kurse përgjigja e dy herë ish-kryeministrit Majko ishte: “Republika e Shqipërisë nuk ka vepruar dhe nuk do të veprojë në asnjë rast me logjikën e politikave bllokuese me kushte të karakterit bilateral. E kemi shprehur dhe do të shprehim shqetësimin tonë për problemet e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë”.
3,3 deri në 5 për qind e shqiptarëve etnikë nuk mundën që atdheun e vetëm të tyre e të krejt shqiptarëve kudo që janë, Shqipërinë, ta këndellin për të kujtuar se shteti ku jetojnë nën pushim, u bë anëtar i NATO-s lirshëm dhe pa asnjë kushtëzim.
6.74 për qind e vitit 1961 është ndoshta shifra më e lartë zyrtare e shqiptarëve si pakica më e madhe josllave në Mal të Zi. Regjistrimi në 2011 i nxori dikund te 4,91.
E kuptoj dhe nuk jam kundër arsyetimit të zotit Majko, kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kur ia shtrova pyetjen në punimet e zhvilluara në Tiranë.
E kuptoj sepse nuk jam kundër lehtësimit të rrugës së fqinëjëve. Por, nuk e kuptoj dhe nuk e arsyetoj apo justifikoj kur kujtoj sepse ai fqinj e të tjerë, mbajnë territoret e Shqipërisë të pushtuara qëkurse ia kanë nisur udhëve të tyre shtetndërtuese me politika genocidiale ndaj shqiptarëve. Simbolet ua ndalin edhe sot tërësisht a pjesërisht, në nivel Republikan dhe vendor. Shqiptarët i “punësojnë” në partitë malazeze me shumë zgjuarsi për të mos i lënë bashkarisht e siç u pa në votat e sëfundme, numrin e deputetëve nuk e çonin dot më shumë se dy.
Ishte 1500 km.2 Mali i Zi kur u përmend për herë të parë në shekullin 13, si krahinë gjeografike. Ndërmjet shekujve 15-19 u dyfishua, pasi i mori 1500 m2 Perandorisë Turke në fund të viteve 1850.
Në 1878 në Kongresin e Berlinit u bë shtet në plotni në kurriz të territoreve etnike të Shqipërisë e shqiptarëve që u këndellën menjëherë dhe po atë vit thirrën të Lidhjen e Prizrenit.
Malazezët u morën shqiptarëve në vazhdimësi prej Pejës e Gjakovës, Ulqinit me rrethe dhe Anë e Malit, brigjeve të Bunës, Shestanit, Krajës, Tivarit, Kotorrit, Podgoricës, Rrozhajës, Pazarit të Ri, Rrafsh të Dukagjinit, Malësisë, Hotit e Grudës me Tuzin qendër, Trieshit, Beranes, Gjakovës dhe guxuan Shkodrën e tash edhe me një farë demarkacioni duan viset e Shqipërisë Verilindore (Kosovës) si shpërblim për pavarësinë e njohur të saj.
Njegoshët e Petroviqët si familjet kryesore të knjazëve e Vlladikës, mbretërve apo republikës malazeze i diskriminuan shqiptarët.
Kurrë nuk u dhanë të drejta. I dëbuan, masakruan, ndoshta më shumë se kurdoherë në pjesën e parë të 21913-ës, sido që ishin myslimanë e katolikë, u mohuan gjuhën, shkrim e këndim. E tash shqipen e kanë në përdorim zyrtar. Edhe një fakultet infermierie që prisnin ua degdisën fillimisht në Nikshiq, vatër e errësirës dhe urrejtjes serbe e tek dikur falë punës dhe politikës të të sotmit ambasador Ferhat Dinosha u mundësua në Podgoricë.
Shqipëria është e kënaqur që tash edhe Tuzi u bë komunë e plotë, në atë pjesë të veriut të Shqipërisë.
Ishte ndrequr diçka që Tuzi Komunë Urbane të merrte pjesë në zgjedhjet për kryebashkiakun e Podgoricës se ndryshe mbështeteja e serbëve triumfonte për çdo kandidat pa votat e shqiptarëve.
Falë tyre u shpall pavarësia në referendumin e majit 2006 nga Bashkimi Serbi-Mali i Zi.
Dikush do të kundërshtojë e më hedhë ndër sy se shqiptarët kanë të drejta. Janë pak. Në shqip janë arsimi fillor dhe i mesëm (dy të ndërthura “Bashkim-Vëllazërim” apo “Bratstvo-Jedinstvo” në Ulqin dhe Beço Bashiq në Plavë dhe “Drita” (privat) po në Ulqin) si dhe Mësuesia në Universitet që nga 2003-2004.
Duhet të mos lerë më pak se 3 për qind shqiptarë të punësuar në sektorin publik, t’u japë më shumë mundësi zhvillimi ekonomik komunave shqiptare.
Po, Mali i Zi ndryshoi në kohën e luftës për çlirimin e Shqipërisë Verilindore (Kosovës), jo se donte shqiptarët, por sepse kuptoi (ka meritë se shpesh gjatë historisë ka kuptuar më shpejt) se humbjen do ta kishte Serbia.
Rikujtimet e pjesshme historike të ndërtim-shtetit malazez apo edhe pakëz zhvillim i sotëm nuk kanë karakter kronologjik. Padyshim aspak armiqësor nga ne shqiptarët, përkundër që ndaj nesh mbeten të tillë të tjerët.
E tash, ja përse ia bëra pyetjen zotit Majko, në vitin e fundit të fqinjit malazez përpara hyrjes zyrtare në NATO.
Pra, pyetjen ia bëra meqënëse shkueshmëria e mirë me fqinjët, dialogu dhe respektimi dhe të drejtat e pakicave, që krejt janë shqiptare ndër ta e thuajse aspak të tyre ndër ne, demokracia dhe arsyeja, përbëjnë kritere apo kushte thelbësore për mospengimin e proceseve integruese euroatlantike.
Domosdo që Mali i Zi në NATO, është një çast me rëndësi për t’i prerë rrugën daljes së shteteve shqetësuses dhe agresivë sllavë në brigjet adriatiko-joniane. Kjo është me vlerë shumë, edhe pse sllavët në NATO janë si “gozhda e Nastradinit”. Po më mirë kështu. Ndaj në disa radhë nuk është qëllimi, sepse nuk e kam, për të kundërshtuar Malin e Zi apo maqedonasit në NATO.
Qëllimi është të mos heshtim për pjesët e vendit tonë dhe popullit tonë nën pushtimet e fqinjëve prej dhjetëravjeçarësh dhe ndaj përpjekjeve mjerane që e shesin kinse sukses ecjen ndarazi të shqiptarëve për bashkimin e kombit në Bashkimin Europian.