Vendimi për Karaxhiçin: Reagime të ndryshme reflektojnë ndarjet në Bosnjë
Viktimat boshnjake të luftës thanë se vendimi që dënon Radovan Karaxhiçin për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nuk ishte mjaftueshëm i ashpër, ndërsa veteranët serbë thanë se ishte i padrejtë.
Nga Denis Dzidic, BIRN
Të mbijetuarit boshnjakë të luftës që erdhën në Hagë për të dëgjuar vendimin të enjten patën reagime të mbytura ndaj dënimit të ish-liderit serb të Bosnjës, duke u shprehur se ai duhet të dënohej për çdo pikë të aktakuzës.
Ndërsa dëgjonin gjyqtarin të lexonte vendimin në korridorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe jashtë ndërtesës së gjykatës, nuk pati shpërthime brohoritjesh, edhe pse disa derdhën lot.
Karaxhiç, ish-presidenti i entitetit serb në Bosnjë, Republika Srpska, u dënua për përgjegjësinë e gjenocidit në Srebrenicë në 1995, terrorizim të popullsisë së Sarajevës, persekutim dhe shfarosje të boshnjakëve dhe kroatëve në 20 komuna në të gjithë vendin dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Por ai u lirua nga akuza për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.
Saja Coriç, e cila erdhi nga qyteti i Mostarit, tha se ajo ishte zemërthyer që Karaxhiçi u lirua nga akuza për gjenocid në vitin 1992.
“E gjithë e Republika Srpska është si një varr masiv. Ne po kërkojmë ende fëmijët tanë dhe ata pretendojnë se ky nuk është gjenocid,” tha ajo.
Ajo shtoi se OKB-ja me këtë vendim legjimitizoi rolin e saj problematik në luftën boshnjake, duke dështuar të parandalojë gjenocidin në Srebrenicë.
Murat Tahiroviç, presidenti i Shoqatës së Viktimave të Gjenocidit në Bosnjë, thotë se nuk ishte aq i kënaqur dhe as i pakënaqur sepse vendimi nuk është ende përfundimtar deri pas apelimit.
“Po presim apelin dhe shpresojmë që prokuroria do të arrijë të vërtetojë gjenocidin në shtatë komunat e tjera,” tha Tahiroviç.
Por Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës, tha se vendimi ishte i rëndësishëm “në radhë të parë për popullin serb, në mënyrë që ky faj të mos bjerë mbi popullin, por mbi individët që e udhëhoqën popullin në mënyrë të gabuar”.
“Drejtësia është e ngadaltë, por e mundur dhe të gjithë, herët ose vonë, përgjigjen për krimet e tyre dhe ndëshkohen. Marrëdhënie më të mira dhe një e ardhme më e mirë mund të ndërtohen vetëm mbi të vërtetën dhe faktet,” tha Izetbegoviç një konferencë për shtyp.
Por duke reflektuar ndarjes që ndikojnë ende në shoqërinë boshnjake edhe 20 vjet pas përfundimit të konfliktit, presidenti i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Republikës Srpska, Milomir Saviç, tha se vendimi ishte i padrejtë.
“Jam i zhgënjyer me justifikimin e vendimit. Ai ndëshkim drakonian bazohet në prova shumë të dobëta,” tha Saviciç.
Avokatët e Karaxhiçit thanë se do të apelojnë kundër çdo pike të vendimit.
“Ky është një vendim skandaloz i bazuar vetëm në indikacione dhe jo në prova,” tha për BIRN këshilltari i tij ligjor, Goran Petronijeviç.
“Megjithatë jam optimist në lidhje me suksesin e apelit tonë,” shtoi ai.
Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International ndërkohë e përshëndeti vendimin si një hap të madh drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat e konfliktit.
“Ky gjykim konfirmon përgjegjësinë komanduese të Radovan Karaxhiçit për krimet më të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare të kryera në tokën evropiane që prej Luftës së Dytë Botërore,” tha John Dalhuisen, drejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë Qendrore.