VMRO e sigurtë në bashkëqeverisjen me Ali Ahmetin?
Më pak se dy javë para se të kalojë afati që mandatari Nikolla Gruevski ta formojë Qeverinë ende bisedimet ndërpartiake nuk kanë nisur. Në VMRO-DPMNE janë të bindur se do të formojnë Qeveri me BDI-në e Ali Ahmetit.
Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani konfirmon se brenda kësaj jave do nisin bisedimet me VMRO-DPMNE-në, por pa konkretizuar datën se kur.
Asnjëra palë nuk zbulon ekipin negociues për Qeverinë.
E kam thënë edhe më herët se BDI do ta ketë të vështirë shkëputjen nga VMRO-DPMNE, u shpreh gazetari Xhelal Neziri.
Sa janë serioze lidhjet midis njerëzve nga këto parti nuk e di, mirëpo nga ajo që është prezent si diskurs në paraqitjet publike të përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së duket se prishja eventuale e partneritetit nuk do të kalojë pa pasoja serioze për BDI-në. Në situatë kur humbi gjysmën e votave në zgjedhjet e fundit, partia e Ali Ahmetit është e plogësht të ballafaqohet me goditje të reja të fuqishme, të cilat do të vinin si rezultat i prishjes së bashkëpunimit me Gruevskin”, deklaroi Neziri.
Sipas tij, BDI është në udhëkryqin më të rrezikshëm që nga themelimi i saj në vitin 2002.
Gazetari dhe aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Saraçini kujton intervistën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili tha se “në BDI e dinë se si” ai do të pengojë që BDI të bëjë koalicion me LSDM-në opozitare.
“Se çfarë ka në dorë Gruevski që të japë këtë porosi të shantazhit ndaj BDI-së, e dinë vetëm Gruevski dhe Ahmeti, i cili në paraqitjet e tija të fundit shfrytëzoi shumë më tepër kohë për të relativizuar antishqiptarizmin e VMRO-së dhe për të sulmuar më tepër opozitën. Duhet të kemi të qartë se VMRO dhe BDI kanë funksionuar pothuajse 10 vjet si partnerë, dhe se VMRO me siguri llogarit në këtë partneritet, i cili për mua është partneritet interesash të ngushta partiake, e jo partneritet në të mirën e të gjithë qytetarëve. E vetmja gjë besoj që mund të pengojë vazhdimin e këtij partneriteti është verdikti që dhanë qytetarët më 11 dhjetor”, tha për Portalb Saraçini.
“Vallë BDI do të reflektojë ndaj këtij verdikti apo do të zgjedhë që të bëjë tentativë irracionale që të kthejë dhjetëra mija votat që i ikën mu për shkak të vasalitetit ndaj Gruveskit të cilin nuk e duan mbi 90% të shqiptarëve, ose siç thotë populli – për një plesht të djegë jorganin, do të shohim së shpejti”, përfundon Saraçini.
BDI, “Aleanca për shqiptarët” dhe “Rilindje me besë” kanë rene dakort ne një Platformë politike të përbashkët dhe para opinionit janë zotuar se nuk koalicionojnë më VMRO-ne e Nikolla Gruevskit.