Vota e shqiptarëve, kyçe për presidentin e Maqedonisë Veriore

Gazeta e njohur ndërkombëtare “Washington Post” ka shkruar një artikull me titullin “Vota e shqiptarëve, kyçe për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë Veriore”. Qytetarët e Maqedonisë Veriore do të votojnë në zgjedhjet e së dielës, në raundin e dytë dhe vota e shqiptarëve ka gjasa të jetë determinante.

Megjithëse presidenti ka një pozitë kryesisht ceremoniale, me disa kompetenca për të vënë veto në legjislacion, rezultati i votimit mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në një vend të polarizuar thellësisht midis social-demokratëve qeveritarë dhe konservatorëve të opozitës së VMRO-DPMNE.

Por shqetësimi kryesor është pjesëmarrja: Nëse më pak se 40% e 1.8 milion votuesve të regjistruar marrin pjesë, zgjedhjet do të jenë të pavlefshme dhe përsëriten nga e para në dy raunde. Në raundin e parë të votimit të 21 prillit, pjesëmarrja ishte vetëm 41.8%.

Në raundin e parë, kandidati i LSDM Stevo Pendarovski mori rreth 41 përqind të votave, ndërsa thuajse po kaq mori edhe kandidatja Gordana Siljanovska e VMRO-së. Duke qenë se diferenca mes kandidatëve në vota është e ngushtë, shqiptarët etnikë kanë një rol kryesor në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Republikës së Maqedonisë Veriore.

Në garë mori pjesë edhe një shqiptar etnik dhe bëhet fjalë për Blerim Reka. Ai mori 10.6 për qind të votave dhe për rrjedhojë u eliminua nga gara. Me Rekën e eliminuar, “frika” është se shqiptarët nuk do të dalin në votime, të zhgënjyer nga partitë e mëdha maqedonase. Stevo Pendarovski është kandidat nga partia në pushtet. Kryeminisitri Zoran Zaev ka thënë se nëse ai nuk zgjidhet president, do të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

SHKARKO APP