Votime në Maqedoni
Mbi 1 milion e 700 mijë votues kanë të drejtë vote. Zgjedhjet po vëzhgohen nga 667 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 7 mijë e 585 vendës. Vetëm ODIHR ka dërguar 360 vëzhgues.
Qendrat e votimit u hapën në ora 7 e mëngjesit dhe do të mbyllen në 7 të mbrëmjes.
Rezultatet e para priten rreth mesnate nga vetë shtabet e partive pjesëmarrëse në garë, që në të shumtën e rasteve nuk dallojnë nga rezultatet që i shpall Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Nikola Gruevski, udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE, e cila ka qeverisur me ish republikën jugosllave në koalicione të ndryshme për gati një dekadë, synon të rizgjidhet në postin e kryeministrit.
Ai sfidohet nga Partia Social-demokratike e udhëhequr nga Zoran Zaev, i cili nxiti krizën politike duke akuzuar qeverinë për përgjime të paligjshme të dhjetëra mijëra qytetarëve dhe publikoi regjistrime për përfshirjen e qeverisë në korrupsion.
Katër parti politike që përfaqësojnë shqiptarët, po marrin pjesë në zgjedhje. Tradicionalisht një parti shqiptare i bashkohet koalicionit qeverisës.
Votimet e së dielës shihen si sprovë për strategjinë e Bashkimit Evropian për të nxitur reforma të dhimbshme në shkëmbim të ndihmës.
BE-ja ka kritikuar për një kohë të gjatë qasjen e Gruevskit ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, por ka nevojë për Maqedoninë që ndodhet në pozicion të rëndësishëm të së ashtuquajturës rrugë ballkanike të emigrantëve që synojnë Evropën perëndimore.