Voton Kuvendi – Shkarkohet Prokurori Publik i Maqedonisë Marko Zvërlevski

Deputetët e parlamentit të Maqedonisë me 64 vota pro kanë shkarkuar nga posti, Prokurorin Publik, Marko Zvërlevski.

Shkarkimi i Zvërlevskit ka ardhur pasi deputetët e VMRO DPMNE-së, e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, dje hoqën dorë nga debati maratonik, i cili ka zgjatur më shumë se një muaj.

Deputetët e kanë cilësuar aktin e shkarkimit si antiligjor, pasi sipas tyre ky vendim vjen në periudhën kur në Maqedoni është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tetor.

Ndryshe, shumica parlamentare, shkarkimin e Zvërlevskit e ka arsyetuar me faktin, se sipas tyre Zvërlevski, është vënë në shërbim të interesave të VMRO DPMNE-së dhe jo sundimit të drejtësisë.

Marko Zvërlevski është një nga personalitetet më të përfolura gjatë ushtrimit të detyrës si Prokuror Publik,veçanërisht gjatë krizës së rëndë politike.

Ai ishte një nga protagonistët kryesor të aferës së përgjimeve, pasi në bisedat e publikuara nga opozita, në shumë raste është dëgjuar duke biseduar me zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE në kurdisjen e proceseve gjyqësore apo në emërimin e njerëzve partiakë në pozita drejtuese në gjyqësor.

Njohësit e çështjeve politike thonë se me shkarkimin e Zvërlevskit nga posti i Prokurorit Publik i hapet rrugë realizimit të reformave në sistemin gjyqësor në Maqedoni./REL/

SHKARKO APP