Vrasësi monstruoz zgjedh fundin, mblidhet shteti
Zgjodhi ti jap fund jetës, sesa të përballet me drejtësinë për vrasjen e gruas dhe të foshnjes që do të lindte ditën që ndodhi krimi makabër, në derën e maternitetit të Prishtinës. Sokol Halili u vetëvra këtë të premte, kur Policia e Kosovës e lokalizoi për ta arrestuar.
Shumë prova në dorë, por autoritet e Kosovës e lanë të lirë vrasësin monstruoz, në vend që ta dënonin me burg. Në një procesverbal përshkruhet se Sokol Halili i kishte thënë gjykatësit që gruaja e tij, Hamide Magashi i ka ofruar para për ta lejuar që të shkojë në shtëpi.
“Më ka premtuar një shumë shumë të madhe parash, vetëm që ta lija të shkonte tek shtëpia e babait të saj. Ajo më ka thënë të martohem me kë të dua vetëm që ta lë rehat atë dhe fëmijën”,-citohet të ketë thënë Sokol Halili.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thirri sot mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, dy ditë pas vrasjes së gruas shtatzënë në Prishtinë. Ky takim ka si synim që të dalë me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalohen aktet e dhunës dhe femicidi.
Aktivistja Zana Avdiu, thotë se për gratë e Kosovës nuk ka shtet. Për të në asnjë rast kur gratë njoftojnë për dhunë, as policia, as gjykata nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të parandaluar ngjarje më të rënda. Aktivistja tha se shteti nuk ofron asnjë siguri për viktimat e dhunës. Qytetarët u ngritën me thirrje se vrasja e grave nga burrat në Kosovë është urgjencë kombëtare.