Vrasja e Ivanoviç, raportuesi i PE-së për Serbinë: Një rast i tillë rrezikon të destabilizojë rajonin

Vrasja e Oliver Ivanoviçit, ndër tjera, ka ngjallur edhe reagime ndërkombëtare, duke kërkuar sa më parë zbardhjen e rastit.

Një kërkesë e tillë ka ardhur edhe nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister, i cili ka kërkuar nga institucionet gjyqësore që të kryhet një hetim i shpejtë, profesional dhe autorët e vrasjes së Oliver Ivanoviçit të sillen para drejtësisë.

Ai ka thënë se një rast i tillë rrezikon ta destabilizojë rajonin.

“Misioni Evropian i Sundimi të Ligjit – EULEX duhet të mbështesë autoritetet brenda mandatit të saj. Nuk ka alternativë për dialogun në mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne nuk mund të lejojmë që një krim i tillë të rrezikojë situatën në rajon”, ka thënë McAllister.

Sipas tij, vitit 2018 do të jetë i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Komisioni Evropian do të prezantojë Strategjinë e Zgjerimit në shkurt, do të ketë raporte individuale për vendet duke përfshirë edhe Serbinë, po ashtu do të mbahet edhe samiti i BE-së – Ballkani Perëndimor në Sofje”, ka deklaruar McAllister për ‘Novosti’.

Ai ka shtuar se hyrja e Serbisë në BE varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit të Serbisë me legjislacionin e BE-së.

SHKARKO APP