Vrasjet mafioze trondisin Beogradin
Vrasja e një avokati të njohur ishte likuidimi i 19-të në formë mafioze në Serbi. Kritikët shprehen se lidhjet e klaneve të drogës dhe politikës po dalin jashtë kontrollit. “Një kurth tipik” – kështu shkroi shtypi i Beogradit pas vrasjes së avokatit të njohur, Dragoslav Ognjanoviç (57 vjeç). Ai ishte viktima e 19-të në këtë vit lufte të ashpër mes bandave kriminale në Serbi. Avokati u qëllua për vdekje të shtunën para apartamentit të tij, ndërsa djali 26 vjeçar u plagos në krah. Deri më tani nuk ka asnjë arrestim. Ognjanovic nuk ishte një person i panjohur. Në fillim të viteve 2000 ai ishte pjesë e ekipit konsultues ligjor të presidentit Sllobodan Millosheviç, që duhej të përgjigjej për krime lufte deri në vdekjen e tij. Në vitet e fundit klientët e Ognjanovicit ishin disa nga figurat më të njohura të botës serbe të krimit. Vrasja shkaktoi një grevë njëjavore të kolegëve të tij në të gjithë Serbinë.
“Kush do të guxojë tani të ofrojë konsulencën ligjore për klientët që kanë të bëjnë me grupet e mafias dhe vrasjet?”, thotë Bozo Preleviç, avokat i njohur dhe ish-bashkëministër. Vrasësit i kanë dërguar një mesazh të qartë drejtësisë dhe avokatëve, thotë ai.
Gjurmët në Malin e Zi
Ata që e njohin këtë skenë thonë, se edhe vrasja e fundit renditet në larjen e përgjakshme të llogarive mes dy klaneve të armiqësuara të drogës. Ognjanoviç përfaqësoi së fundmi Luka Bojoviçin, një nga bosët më të njohur të mafias serbe. Megjithëse ai qëndron në burg në Spanjë, flitet se vazhdon të drejtojë pazaret e drogës në Ballkan. Në vitet e fundit u vranë në Beograd disa nga njerëzit e afërt me të, edhe vëllai i tij. Të dy klanet konkurruese në tregun e drogës e kanë origjinën në Shkaljar dhe Kavaç, dy zona në gjirin e Kotorrit në Malin e Zi, por ato luftohen në rrugët e Beogradit, që konsiderohet si bastion i kriminalitetit të organizuar.
Jo pak vetë dyshojnë për lidhje me politikën, policinë dhe drejtësinë. Nga 124 vrasje mafioze që ka regjistruar Grupi i Kërkimit të Beogradit, KRIK, nga viti 2012, vetëm 9 raste janë zbardhur. Në 87 raste nuk ka as të dyshuar. “Nuk duhet harruar që njëra anë e kësaj lufte mafioze është edhe mbështetja e hapur e shtetit, shkroi në Twitter, Stevan Dojçinoviç.
Presidenti Aleksandar Vuçiç qeveris prej gjashtë vjetësh në Serbi me dorë të hekurt. Mediat më të mëdha janë nën ndikimin e tij, opozita gati inekzistente. Mungesa e pavarësisë në sistemin e drejtësisë dhe lirisë së shtypit theksohen rregullisht në raportet e progresit të Komisionit Europian.
Gjatë Kampionatit Botëror në Rusi, në një foto tregohet Danilo Vuçiç, djali 20 vjeçar i presidentit duke brohoritur në tribunë. Ai ishte i rrethuar nga disa fytyra të njohura të botës së krimit dhe mbante veshur të njëjtën bluzë me mbishkrimin “patriotik” si ata.
Prandaj i besojnë shumë pak presidentit, kur thotë, se djali i tij ka qenë vetëm rastësisht krah njerëzve të tillë. Kur e njëjta shoqëri ishte prezente si bodyguard në tribunë edhe vitin e kaluar, kur Vuçiçi u betua. Në një kohë që disa demonstrues dhe gazetarë u rrahën.
Jashtë kontrollit
Kriminelët nga rrethi i besuar i Vuçiçit drejtoheshin deri në tetor 2016 nga Aleksandar Stankoviç, që mbante lidhje të ngushta me klanin e Kavaçit. Edhe Stankoviç u vra në Beograd, edhe ky një “kurth tipik”. Më parë ai lëvizte i lirë, megjithëse kundër tij ekzistonte një dënim i formës së prerë për gjashtë vite për shkak të trafikut të drofës dhe tentativës për vrasje. Por Stankoviç siguroi 12 herë raporte mjekësore për t’i ikur burgut, e shkonte të shihte rregullisht ndeshjet e futbollit të Partizanit të Beogradit. Një mënyrë e tillë shpëtimi nga burgu nuk bëhet aq lehtë pa lidhje deri në nivelet më të larta të politikës.
“Serbia po fundoset në drogë. E shihet se të njëjtët kriminelë gravitojnë rreth partisë qeverisëse.”, thotë avokati Preleviç. Partia e plotfuqishme e Progresit akuzohet edhe për shpërndarje të tenderave publikë dhe punëve tek përkrahësit besnik. “Kjo nyje e krimit, parasë dhe politikës po e shkatërron vendin dhe sistemin e drejtësisë.”
Por edhe kritikët më të ashpër të presidentit Vuçiç nuk e pohojnë se ai i sheh me kënaqësi vrasjet mafioze. Njeriu i fortë i Serbisë kërkon pra të paraqitet si ai që di t’i kapë problemet dhe të luftojë kriminalitetin. Por paligjshmëria, nëse shpërhapet njëherë, është si një sëmundje kanceri, shkroi në Twitter gjykatësi, Miodrag Majiç. Atë nuk mund ta kontrollosh dot më.
/DW