Vritet me snajper në burg bosi i krimit në Mal të Zi

Një bos me emër i krimit në Malin e Zi është vrarë pasi është qëlluar për vdekje nga një snajper në ambjentet e brendshme të një burgu të sigurisë së lartë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur ditët e fundit, duke rënduar edhe më tej një luftë të përgjakshme mes bandave që ka përfshirë vendin e vogël ballkanas.

Dalibor Djuriç, një eksponent i rëndësishëm i klanit Skaralji, aktiv në qytetin turistik të Kotorit, u qëllua në gjoks gjatë orarit të ajrimit në burgun Spuz, të Podgoricës.

Policia bllokoi rrugët përreth dhe kreu kërkime për autorin, por gjeti vetëm një makinë të djegur që dyshohet të jetë përdorur nga atentatori.

Djuriç po shlyente një dënim 2-vjeçar për gjobëvënie dhe më parë kishte qenë dy herë shenjestër e atentateve. Në vitin 2006 ai u plagos nga një sulm me armë në Kotor, ndërsa në shtator 2011 u plagos sërish nga një bombë në lagjen Beogradi i Ri, në Serbi.

Vdekja e Djuriç është më e fundit e një serie vrasjesh që kanë përgjakur Kotorin, mes klaneve Skaralji dhe Kavaç, të cilat u kanë marrë jetë të paktën 5 personave të tjerë.

Në shtator, një autobombë vrau dy anëtarë të dyshuar të bandës. Përshkallëzimi i dhunës bëri që në qershor Ministria e Brendshme të dërgonte në qytet një njësi speciale anti-terror. TCh

SHKARKO APP