Vuçiç bisedon me Blinken: Të lirohen serbët e arrestuar
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka mbështetur planin evropian për shtensionim, u tha pas një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Gjatë bisedës me Blinkenin, Vuçiç ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.
“I thash (sekretarit Blinken) se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, tha Vuçiç.
Siç raportohet, Vuçiç gjatë bisedës me Blinkenin ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale “janë të një rëndësie kyçe për të ulur tensionet”.