Vuçiç dyshime për samitin në Paris: Po ndërhyn Amerika!

Serbia mendon se ndërhyrjet e Uashingtonit në dialogun me Kosovën mund të bëjnë që të anulohet samiti i 1 korrikut në Paris. Presidenti Aleksandër Vuçiç kërkon kompromis, por shton se edhe pala tjetër duhet të ofrojë diçka tjetër në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka vënë në dyshim mbajtjen e samitit të Parisit në fillimin e korrikut. Duke folur për televizionin publik vendas, kreu i shtetit deklaroi se aktorë të jashtëm po ndërhyjnë në bisedimet dypalëshe me Prishtinën, në dëm të interesave të Beogradit.

Vuçiç:“Kam informacione që Uashingtoni ka qenë i përfshirë në temat që ne dhe kosovarët do të diskutojmë në Paris. Nëse shohin se edhe ky samit nuk do të prodhonte rezultatin e dëshiruar, Parisi mundet edhe të mos mbahet.”

Vuçiç shtoi se acarimet e fundit me Kosovën do të trajtohen edhe më 10 qershor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por pranoi se takimi në Paris do të ishte më i rëndësishëm për Beogradin.

Presidenti serb theksoi se kompromisi mes palëve nuk ka për t’u arritur për sa kohë Kosova i qëndron bindjes se Serbia duhet ta njohë pavarësinë pa ofruar diçka në këmbim.

Vuçiç: “Ata thonë se “Kosova është e pavarur brenda këtyre kufijve” dhe unë në Paris do të përsëris se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Atëherë çfarë duhet të bëjmë. Bota është lodhur me këto qëndrime.”

Bisedimet përgatitore për samitin e Parisit të hënën ishin edhe në fokusin e takimeve që autoritetet shtetërore të Prishtinës organizuan me këshilltarët e kancelares gjermane dhe presidentit francez.

Pala kosovare shprehu gatishmërinë për negociata, por këmbënguli te pozitat aktuale rreth taksës kundër Serbisë dhe njohja pa kushte e vendit.

SHKARKO APP