Vuçiç: Nacionalizmi po ringjallet në Ballkan

Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç, tha të premten se retorika nacionaliste në rajon mund të ringjallet. Ai i bëri këto komente një ditë pasi që Gjykata Ndërkombëtarë për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, liroi nga të gjitha akuzat, udhëheqësin e radikalëve serbë, Vojisllav Sheshel.

Vuçiç, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Vojisllav Sheshelit, nga i cili u nda në vitin 2008, tha se politikat e Sheshelit mund të dëmtojnë Serbinë dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas një gjykimi maratonik, Gjykata e Hagës liroi të enjten 61 vjeçarin Vojisllav Sheshel, kryetar i Partisë ultranacionaliste Radikale Serbe, duke e shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për nxitje të urrejtjes etnike në luftërat që përfshinë ish Jugosllavinë gjatë viteve të 90-ta, duke lënë pas vetes mbi 130 mijë të vrarë.

Lirimi i tij shkaktoi tronditje në mesin e viktimave në njërën anë dhe kremtime të mbështetësve të tij të cilët festuan edhe në qytetin lindor boshnjak të Srebrenicës, skenë e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në vitin 1995.

“Politikat e tilla e kthejnë Serbinë prapa në jostabilitet, mundime dhe vështirësi ekonomike. Politikat e tilla do të na izolonin na të gjitha në Ballkan dhe në Evropë”, tha të enjten kryeministri serb në një konferencë me gazetarë.

“Forcat nacionaliste janë duke u ringjallur kudo. Unë do ta luftoj këtë me të gjitha mjetet demokratike”, tha ai, duke nënvizuar se e ka ndërgjegjen e pastër për të kaluarën e tij.

Ai tha se Gjykata e Hagës “ka dështuar të përmbushë rolin e tij themelor”, për ripajtimin e kombeve në Ballkan. Madje “ka ngulur gozhdë në arkivolin e Ballkanit të përgjumur”.

Ai tha se koha e shpalljes së vendimit për Sheshelin dhe dënimi i një jave më parë i udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç me 40 vjet heqje lirie për gjenocid dhe krime lufte, po u shkon përdore ekstremistëve meqë ka përkuar me fushatën para zgjedhjeve të 24 prillit në Serbi.

Partia Përparimtare serbe e Vuçiçit, ka 135 deputetë në parlamentin 250 vendesh të Serbisë dhe qeverisë bashkë me Partinë Socialiste te Serbisë, që dikur drejtohej nga ish presidenti serb Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. VOA

SHKARKO APP