Vuçiç: Nuk do lejojmë që SHBA-në dhe BE të na ngrenë për veshësh
Në një intervistë për televizionin serb Pink, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se ata nuk luftojnë kundër shqiptarëve, por kundër shumë vendeve perëndimore të cilat qëndrojnë pas pavarësisë së Kosovës. “Të nxjerrim sa më tepër që mundemi, e të humbim më pak se që jemi të detyruar, kjo është ajo për të çfarë, në kushte gati të pamundura, po luftojmë kur bëhet fjalë për Kosovën”, ka thënë sot Vuçiç, duke shprehur bindjen se nuk do të fitojnë më pak se ajo çfarë iu është ofruar.
Ai ka përsëritur se po luftojnë kundër shumë vendeve perëndimore të cilët e përkrahin pavarësinë e Kosovës duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe. E shihni çfarë është duke bërë Britania e Madhe nëpërmes agjenturave të saj në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni. Ne po luftojmë në kushte shumë të vështira, gati të pamundura të nxjerrim sa më shumë që mundemi për popullin tonë, e të humbasim sa më pak”, ka thënë ai, transmeton Insajderi.com. Ai ka përkujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se pavarësia e Kosovës është zbatuar në mënyrë legale, dhe krejt kjo është kryer – me kërkesë të Serbisë.
“Ne nuk kemi kërkuar arbitrazh nga ekspertët të cilët na përkrahin ne, por prej GjND-së”, ka thënë ai.
Duke komentuar “tweet”-in e priftit serb nga Kosova, Sava Janjiç, në të cilin thuhet se ka dëgjuar informata të rrezikshme mbi një marrëveshje për një incident në Kosovë, i cili do të ishte shkrehës për reagim nga të dyja palët dhe hyrje për ndarje në terren, ai ka thënë: “Po më sillni në situatë të përgjigjem në thashethemet e pahijshme, jonjerëzore, në tregimet e kota. Këtu nuk ka informata. Këto tregime të kota po i trillojnë kundërshtarët tanë politikë nga Lidhja për Serbinë e Lirë. Nëse do Zoti, kjo kurrë nuk do të ndodhë, asnjë njeri nuk do të pësojë, as në veri as në jug të Kosovës”, ka thënë Vuçiç.
Ai gjithashtu ka thënë se nuk do të pranojë atë çfarë ka ndodhur në Maqedoni dhe se do t’i prezantojë popullit planin e vet për Kosovën ashtu si është dhe se populli do të deklarohet për të. Gjithashtu ka theksuar se shumë njerëz më tepër do ta preferonin praninë e NATO-s sesa të ushtrisë serbe. Për këtë ai ka thënë se “nuk do të lejoj që Serbinë ta ngrehin për veshë as SHBA-ja as BE-ja, e as kushdo që punon në interes të tyre”.