Vuçiç para takimit me diplomatët: Një ndër ditët më të vështira për Beogradin, nuk fle natën…
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të shtunën para takimit me pesë diplomatët perëndimorë në Beograd se do të “ruaj Serbinë dhe Kosovën, pa marrë parasysh se sa shumë dhe sa të fuqishëm janë ata”.
Vuçiç tha para takimit që nisi pas orës 14:00 se “pesë të mëdhenjtë, të fortët, më të fortët” erdhën në Beograd dhe se kjo nënkupton se “sot do të jetë ndoshta një nga ditët më të vështira për Serbinë” dhe për të personalisht, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
“Mund ta marr me mend me çfarë vijnë në Beograd ata. Nuk fle natën për shkak të kësaj. Pa fajin tonë, ne do të gjejmë një mënyrë dhe do të arrijmë ta shpëtojmë Serbinë dhe mos t’ia japim atë si dhuratë askujt. Një gjë e garantoj, nuk do ta mbroj veten, por do të luftoj dhe do ta mbroj Serbinë, pavarësisht sa shumë dhe sa të fortë janë ata [diplomatët]”, tha Vuçiç në 15-vjetorin e themelimit të Partisë Progresive Serbe. (SNS).
Diplomatët perëndimorë, dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun,Miroslav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, shkuan në Beograd pasditen e të shtunës, pas një vizite në Prishtinë më herët thatë dutës, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.