Vuçiç: Serbia anëtarësohet në BE në vitin 2022 nëse do njihte Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nëse çështja e Kosovës do të ishte kusht për anëtarësimin e vendit të tij në BE, “anëtarësimi i Serbisë do të mund të ndodhte më 2023, por nuk do të përjashtoja as vitin 2022”.

“Çështja e Bashkimit Evropian dhe pyetja nëse çështja e Kosovës do të jetë kusht. Nuk jam optimist për çështjen e zgjidhjes së [problemit të] Kosovës, sepse shoh se si në Prishtinë mendojnë e veprojnë, por njëkohësisht edhe në Serbi ka njerëz që ende ëndërrojnë mite”, ka thënë Vuçiç.

“A jam optimist i madh? Jo, nuk jam. A do të jap gjithçka nga vetja që të shohim në mënyrë racionale se çka mund të përfitojmë më së shumti e çka të humbim më së paku? Do të jap gjithçka nga vetja, edhe pse do ta di se ky do të ishte fundi i karrierës sime politike”, është shprehur Vuçiç në televizionin “Happy” të Serbisë, transmeton Koha.net.

“Personalisht do të jap gjithçka nga vetja”, tha Vuçiç, dhe shtoi se në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën do të tregojë se çka mendon ai se do të ishte zgjidhje.

Vuçiç ka folur edhe për takimin që e ka zhvilluar me zyrtarin e lartë amerikan, tashmë ambasador në Maqedoni, Brian Hoyt Yee. Ka thënë se kanë zhvilluar një bisedë të vështirë për Kosovën.

“Kemi zhvilluar një bisedë të rëndë. Ka qenë brutalisht i qartë dhe e ka përcjellë qëndrimin e administratës së tij. Më ka thënë që të mos mendojmë për ndryshim kufijsh, e unë i kam thënë – juve ju ka rënë ndër mend të ndryshoi kufij para nëntë vjetësh. Haptas i ka paraqitur qëndrimet anti-ruse, ndërsa unë i kam thënë se qëndrojmë në rrugën tonë evropiane, dhe këto ua kam thënë edhe Putinit e Llavrovit”, deklaroi kreu i shtetit serb, Vuçiç.

SHKARKO APP