Vuçiq pas ndalimit të Sofronijeviqit: Do të arrestohen të gjithë ata që shkelin rendin kushtetues në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të dielën se çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë “do të arrestohet dhe ndiqet penalisht”.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka folur për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit prej Zveçanit, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës ka thënë të shtunën se e ka ndaluar Sofronijeviqin në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak, për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra.

Si pasojë e rritjes së tensioneve protestuesit janë përleshur, atëbotë, me zyrtarët policorë, dhe patën mbetur dhjetëra persona të plagosur nga të dyja anët, përfshirë Sofronijeviqin.

Vuçiq ka thënë se autoritetet në Prishtinë e kanë arrestuar një burrë jashtëzakonisht trim, që është plagosur më parë nga “terroristët shqiptarë”.

“E them me qëllim terroristët shqiptarë, sepse kur thonë zyrtarët policorë, ata janë terroristë, pasi nuk kanë të drejtë të jenë në veri të Kosovës. Mos harroni që sipas dokumentit të Brukselit, atje [në veri] duhet të jenë vetëm zyrtarët rajonalë me etni serbe, jo njësitet speciale”, ka thënë Vuçiq, sipas Radiotelevizionit të Serbisë.

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar atë që njihet si “Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve” – e njohur si Marrëveshja e Brukselit.

Aty përmendet se do të ketë një komandant rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – i cili duhet të jetë serb, shtetas i Kosovës.

Por, në asnjë nga pikat e kësaj marrëveshjeje nuk përmendet shkuarja apo jo e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Vuçiq ka thënë se Sofronijeviq po ndiqet penalisht për prishje të rendit kushtetues.

“Prandaj, dua të ju informoj që sapo Zyra e Prokurorit dhe Ministria e Punëve të Brendshme të funksionojnë plotësisht, dhe besoj që kjo do të ndodhë prej javës së ardhshme, të gjithë ata që kanë shkelur rendin kushtetues të Republikës së Serbisë, ku ne kemi pushtet efektiv, do të ndiqen penalisht dhe arrestohen nga autoritetet kompetente të Serbisë”, është cituar të ketë thënë Vuçiq.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, kanë reaguar të shtunën për ndalimin e Sofronijeviqit, dhe kanë kërkuar që përfaqësuesit ndërkombëtarë të reagojnë për, siç vlerësojnë, “shtypjen e serbëve”.

Letra kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës
Presidenti serb ka thënë, po ashtu, se Serbia i ka marrë të gjitha masat dhe u ka dërguar letra të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës, për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“I kam shkruar në total 14 letra të ndryshme për liderët evropianë, kryesisht letra të personalizuara. I kam kërkuar secilit të ketë parasysh shkaqet specifike dhe marrëdhëniet që kemi. Në njërën anë atyre që e njohin Prishtinën, dhe në anën tjetër atyre që nuk e njohin”.

Ai ka thënë se në letra ka kërkuar që secili të shqyrtojë edhe një herë vendimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, cili ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës, dhe që vendimi të jetë ndryshe në Këshillin e Ministrave.

Në këtë Këshill – në një takim të majit – pritet të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës.

Ditë më parë, autoritetet serbe kanë thënë se kanë krijuar një grup punues që do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim më 2022 – është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

SHKARKO APP