Yee mesazh të qartë Serbisë: Beogradi të zgjedhë në cilën karrige do të ulet!
Hoyt Brian Yee pret që Serbia të vendosë sa më shpejt nëse do të ndjekë rrugën europiane apo do të mbajë krahun e Rusisë. Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se Serbia është e aftë të anëtarësohet më shpejt në Bashkimin Europian, nëse shfaq më qartë përkushtimin e duhur ndaj kësaj rruge.
Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee i ka dërguar mesazhe të forta Serbisë, teksa ka kërkuar që Beogradi të zgjedhë në cilën karrige do të ulet. Yee theksoi se vendi ka aftësinë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por i duhet ta shfaqë më qartë përkushtimin tek partnerët europianë. Për zv/ndihmës sekretarin e shtetit, BE është e gatshme të pranojë më shumë anëtarë, nëse vendet që aspirojnë anëtarësim janë gati për reforma. Ndaj Yee nxiti implementimin sa më parë të reformave, që vendet të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit.
Sipas Yee, Shtetet e Bashkuara besojnë se Serbia luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Zv/ndihmës sekretari i shtetit gjithashtu vlerësoi presidentin Aleksandar Vuçiç dhe hapat që ai ka ndërmarrë për të forcuar standardet demokratike në Serbi si dhe në kuadër të mbarëvajtjes ekonomike të vendit. Yee citoi bisedimet dypalëshe Kosovë-Serbi për përmirësimin e marrëdhënieve si shembull të hapave pozitivë të ndërmarrë nga Beogradi.