Zaev, gati të bisedojë me opozitën për ndryshimet kushtetuese

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev vlerëson se qytetarët me votën e tyre në referendumin e së dielës për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, “kanë dhënë porosi të qartë se në cilin drejtim dëshirojnë të shohin të ecë Maqedonia”.

Zaev e ka cilësuar referendumin të suksesshëm, ndonëse nuk u kalua pragu i daljes prej 50 për qind.

Ai tha se nga nesër fillojnë bisedimet me opozitën për të kaluar ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrin dhe në ditët në vijim do të dihet se a ka mundësi që kjo marrëveshje të arrihet.

Kryeministri i Maqedonisë tha po ashtu se nëse dështojnë bisedimet, alternativë e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin në nëntor të këtij viti.

“Zgjedhjet do të ndryshojnë gjendjet në të mirë në funksion të numrit të deputetëve për votimin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Zaev, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që duhet të miratojnë deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, me qëllim që të ndryshohet emri i shtetit nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në Maqedoninë Veriore.

“Referendumi përfundoi. Qytetarët dhanë një drejtim të qartë se kah dëshirojnë të shkojë Maqedonia. Nëse ndokush në bisedime ofron ndonjë alternativë tjetër, ne jemi të hapur për bisedime. Por, askush nuk tregon se cila është alternativa për NATO-n dhe BE. Askush nuk thotë se ka marrëveshje më të mirë nga kjo që kemi arritur ose se mund të arrihet një marrëveshje më e mirë. Absolutisht janë shumë të qarta hapat kah duhet të ecë Maqedonia”.

“Nga ky aspekt, unë pres që të sillen me përgjegjshmëri të gjithë gjatë marrjes së vendimeve. Ngase në të kundërtën, nëse themi se nuk sjellim vendime të këtilla dhe nuk marrim pjesë në votim atëherë logjikisht pasojnë zgjedhjet”, u shpreh Zaev.

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, në referendumin e së dielës kanë dalë 36,311 për qind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 585 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.

Të dhënat kanë të bëjnë me 85.7 për qind të materialeve të përpunuara nga vendvotimet. Nga ata që kanë dalë në votime, 532 mijë apo 91.5 kanë votuar “për” kurse 31 mijë apo 5.8 për qind kanë votuar “kundër”.

Rreth 1.8 milion qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote ishin ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.

SHKARKO APP