Zaev: LSDM në Parlamentin e ardhshëm do të ketë deputetë shqiptarë

Kreu i Lidhjes Socaildemokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, pret që zgjedhjet e 11 dhjetorit të sjellin ndryshime pozitive në Maqedoni. Ai vlerëson se shkelja e Kodit Zgjedhor për shkak të numrit të lartë të votuesve në njësinë e gjashtë zgjedhore nuk përbën arsye të mjaftueshme që të shtyhet edhe një herë data e votimeve.

“Ne e kemi caktuar kongresin më 6 nëntor dhe besoj se deri më 5 nëntor organet partiake do të përgatisin të gjitha dokumentet për t’u miratuar në kongres. Do të kemi kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike, pra edhe shqiptarë, që për ne paraqesin figura të respektuara në shoqërinë ku jetojmë”, u shpreh Zaevi.

Kreu i opozitës maqedonase paralajmëroi se në kongresin e partisë më 6 nëntor do të publikohen emrat e kandidatëve për deputetë, ndërsa konfirmoi se në mesin e tyre do të ketë edhe shqiptarë. Zaev, nuk tregoi se në cilën njësi zgjedhore do të garojë ai.

“Është me rëndësi që barazia e votës të jetë e garantuar por mendoj se 526 votues në një njësi zgjedhore me gjithsej 311 mijë votues, nuk janë arsye që të shfuqizohet vendimi për shpalljen e votimeve. Megjithatë, vlerësoj se ekzistojnë institucione që do të vendosin për një gjë të tillë”, tha Zaev.

Afati i fundit për dorëzimin e listave për deputetë në KSHZ është 11 nëntori. Deri tani asnjë parti nuk ka zbuluar emrat e kandidatëve.-Alsat

 

 

SHKARKO APP