Zaev: Ndryshimet në Kushtetutë nuk janë garanci e qëndrueshme për Greqinë
Çfarëdo qoftë ndryshimi në sistemin juridik të Maqedonisë nuk do të thotë garanci e qëndrueshme për Greqinë, sepse gjithçka që ndryshohet mund të kthehet pas sërish, deklaroi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
“Është shumë me rëndësi ta praktikojmë atë që e mbarë bota e di, ndërsa kjo është praktikë e njohur ndërkombëtare të zgjidhjes së çështjeve të tilla dhe atëherë mbetet përgjithmonë. Jam i bindur se përmes qasjeve të këtilla, duke u kujdesur sa është me rëndësi për qytetarët e Greqisë dhe të Maqedonisë, mundemi edhe ta gjejmë zgjidhjen e çështjes që kemi me Greqinë”, tha Zaev.
Zaev tha se nuk duhet të vendosen linja të kuqe nëse dëshirohet të arrihet në ndonjë zgjidhje.
“Duhet të kemi kujdes që ta ruajmë dinjitetin e të dy popujve, të të dy vendeve dhe të dy kombeve dhe gjithsesi ruajtjen e asaj që do të thotë ndjenjë, ndërsa ky është identiteti. Identiteti është ndjenjë dhe për atë nuk mund të negocioni, të bëni pazar. Besoj se në këtë frymë, duke pasur kujdes ndaj partnerëve me të cilët negociojmë do të gjejmë zgjidhje, ndërsa njëkohësisht të hapet edhe Kushtetuta e Greqisë dhe të shohim si ata kujdesen për grekët jashtë Greqisë. Siç kujdeset Athina për grekët jashtë Greqisë, ashtu edhe ne kujdesemi për maqedonasit jashtë Maqedonisë”, tha Zaev.