Zaev takon shqiptarët për presidentin konsensual

Kryeministri Zaev pritet të zhvillojë sot takime edhe me dy partneret e tjerë qeverisës, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi dhe kryetarin e PDSH, Menduh Thaçin për kandidatin konsensual për president në zgjedhjet e 21 prillit.

Zaev zhvilloi bisedime me Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa ka shprehur interesin për te diskutuar edhe me Zijadin Selën në opozitë.

Megjithatë, përpjekjet për kandidatin e mundshëm të koalicionit qeverisës duket se do të jenë të vështira. Mediat në vendin fqinj shkruajnë se Zaev është shprehur që dy nga tre postet kryesore të shtetit t’i marrin shqiptarët.

Vetëm në rast se BDI tërheq kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferrin, mundësitë që të zgjidhej një kandidat shqiptar për president do të ishin më të mëdha.

Deri më tani, jo zyrtarisht mësohet se në listën e kandidatëve janë edhe 3 shqiptarë, Abdylmenaf Bexheti, Teuta Arifi dhe Imer Selmani.

Pas takimit të së hënës me Ali Ahmetin, Zaev tha se u ra dakord për një kandidat të përbashkët presidencial dhe se emri i tij do të bëhet i ditur gjatë javës së ardhshme.

Nga ana tjetër, partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE ka zgjedhur pedagogen Gordana Siljanovska si kandidate për zgjedhjet presidenciale.

SHKARKO APP