Zgjedhjet në Mal të Zi – kryeson Milo Gjukanoviçi
Partia Demokratike e Socialistëve, është duke prirë me numrin e votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por nuk i ka votat e mjaftueshme që do t’i siguronin shumicën dhe kryeministrit pro-perëndimorë Milo Gjukanoviç, do t’i duhen partnerë koalicioni për të krijuar qeverinë e re.
Ai tha gjatë fushatës se votimet janë një zgjedhje historike ndërmjet lidhjeve më të ngushta me NATO-n ose Rusinë.
Numërimi i pjesshëm i votave dëshmon se ai ka fituar 36 vende në parlamentin 81 vendesh dhe do t’i duhen edhe pesë deputetë për të siguruar shumicën e thjeshtë.
Partitë politike të shqiptarëve kanë siguruar një mandat në parlamentin e ri.
Pjesëmarrja në votimet e së dielës ishte rreth 73 për qind, më e madhja deri tash në zgjedhjet parlamentare në vendin e vogël ballkanik.
Sipas rezultateve paraprake, Forumi Demokratik, një aleancë opozitare që synon lidhje ë të forta me Serbinë dhe Rusinë, mund të ketë fituar 18 vende.
Kryeministri Gjukanoviç, kishte pohuar se Rusia i sheh votimet si një mundësi për të përmbysur rrugëtimin e vendeve të rajonit të Ballkanit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa opozita kishte mohuar pohimet e tij për financime nga Rusia, duke i cilësuar ato si përpjekje për të mbuluar kulturën e favorizimeve që zoti Gjukanoviç ka lejuar të lulëzojë gjatë dominimit prej një çerek shekulli.
Me tensione edhe ashtu të larta politike, rezultati i zgjedhjeve pasqyron ndarjet e thella në vendin me rreth 620 mijë banorë.
Dita e zgjedhjeve u përcoll me njoftimet për arrestimin e 20 personave nga Serbia, nën dyshimin për krijimin e një organizate kriminale dhe veprime terroriste.
Drejtori i policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviç tha se “ata, siç dyshohet, kanë hyrë në Malin e Zi dhe kishin për qëllim që pasi të armatoseshin me armë automatike, të kryejnë sonte sulme mbi institucionet e sistemit, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarë të lartë të shtetit”.
Në mesin e grupit ishte edhe ish-komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratislav Dikiç, aktualisht është kryetar i Frontit Patriotik të Serbisë, organizatë nacionaliste e lidhur me qarqet ekstreme ruse. Vitin e kaluar në qytetin e Nishit në jug të Serbisë ai organizoi protesta kundër NATO-s, ndërkohë që dyshohet se protesta të ngjashme organizoi edhe në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë.
Autoritetet serbë thanë ndërkaq se po presin informacion zyrtar nga Podgorica para se të komentojnë njoftimet për arrestimet e shtetasve të Serbisë.-VOA