Zgjedhjet në Maqedoni: Gruevski sërish luan në kartën nacionaliste

 

Partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen më 11 dhjetor në programin e vet zgjedhor do ta ketë përsëri kartën nacionaliste, ku para qytetarëve drejtuesit e kësaj partie do të thonë se VMRO-DPMNE është partia e vetme e cila e mbronë Maqedoninë nga federalizimi, duke aluduar për shqiptarët, shkruan Radio Deutsche Welle në gjuhën maqedonase.

 

Por, politologët janë të bindur se kjo lojë e VMRO-DPMNE-së nuk do të kalojë, për shkak se karta nacionaliste është një mjet tashmë i harxhuar. Ndërkohë për herë të parë në historinë e Maqedonisë tabela e organizatës komunale të partisë LSDM në Çair është shkruar në dy gjuhë, në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe. Mirëpo ky gjest u kritikua fuqishëm nga partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE me arsyetimin se partia opozitare është për të instaluar dygjuhësinë në tërë territorin e Maqedonisë, të ndajë shtetin dhe të humbet identiteti maqedonas, transmeton Zhurnal.

Mirëpo Trajçe Nedellkovski anëtar i LSDM-së nga Çairi thotë se tabela është vendosur në dy gjuhë për shkak të interesimit të madh të qytetarëve nga kombësitë e ndryshme që dëshirojnë të antarësohen në LSDM. Sipas tij, shqiptarët masovikisht rreshtohen në LSDM ku deri më tani ka 800 anëtar shqiptarë.

“Në mënyrë masovike po antarësohen shqiptarët etnikë. Deri më tani kemi rreth 800 anëtarë, të cilët me siguri deri dje kanë qenë në BDI, PDSH ose kanë qenë të papërcaktuar. Por tani kërkojnë masovikisht të antarësohen në LSDM”, ka deklaruar Nedellkovski për Televizionin 21.

Nga ana tjetër një qytetar shqiptar, Xhevat Iseni, ka pranuar se është antarësuar në LSDM. “Jam tepër krenar që jam antarësuar në selinë e LSDM-së e cila do të funksionojë në dy gjuhë, që t’i tregojmë popullit që edhe gjuha shqipe përdoret në LSDM”, ka deklaruar socialdemokrati Iseni.

Mirëpo nga ana tjetër partia maqedonase VMRO-DPMNE përmes deputetit Ilija Dimovski ka akuzuar partinë maqedonase në opozitë, LSDM, se Zoran Zaev një kohë të gjatë po bën pazar me interesat nacionale. Analisti Aleksandar Dashtevski thotë se politika e LSDM-së po shkakton një destabilizim dhe federalizim të Maqedonisë.

“Gjendja aktuale politike në Maqedoni ka për qëllim që nga ana e opozitës të shkaktohet një destabilizim dhe federalizim i Maqedonisë i cili nuk do t’i konvenonte asnjë etnosi, as maqedonasve por as edhe shqiptarëve, ndërsa me këtë do të shkaktonte që të zgjidhet një qeveri marionete e cila do të udhëhiqej nga strukturat e huaja”, ka deklaruar Dashtevski.

Por politologu Arben Adili është i bindur se karta nacionaliste nuk do të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi temë kyçe aktualisht është pastrimi i krimit.

“Loja në kartën e nacionalizmit në shoqërinë multietnike është tepër e njohur dhe është parë si taktikë nga elitat në pushtet, me të cilën çdo parti prej tyre ka tentuar që në periudhën parazgjedhore t’i forcojë pozicionet e veta para elektoratit. Në kohën kur kemi një krizë të thellë të përgjithshme, është papërgjegjësi e madhe që kjo situatë të thellohet me temën e federalizimit. Një gjë duhet të dihet. Asnjë konflikt nuk ka ndodhur kur njerëzit kanë komunikuar mes vete dhe janë marrë vesh me ndonjë gjuhë, por konflikt ka pasur kur assesi nuk janë marrë vesh”, ka deklaruar politologu, Arben Adili.-DW

SHKARKO APP