Zgjedhjet në Maqedoni: Ku shkoi vota e shqiptarëve (flitet për tradhti)?
Votimet e së dielës në Maqedoni i kanë dhënë fitoren VMNRO- DPMNE-së së Nikola Gruevskit, e cila mori 51 deputetë, dy më shumë se LSDM-ja e Zoran Zaevit.
Në kampin shqiptar, e para ka dalë BDI-ja e Ali Ahmetit, me 10 mandate, kurse Lëvizja BESA, e cila i ka fituar 5 mandate, është konfirmuar si forca e dytë shqiptare, ndonëse ka vetëm 2 vjet moshë.
Shqiptarët i kanë fituar gjithsej 20 mandate dhe, në zëra të përgjithshëm, kjo është humbje për ta, pasi numri i përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Maqedonisë është zvogëluar.
Në rrjete sociale kanë shpërthyer akuzat për “tradhëti” të shqiptarëve, pas një numër i madh votash të tyre i janë dhënë LSDM-së maqedonase.
Rasti më eklatant i kësaj “tradhëtie” është fshati më i madh i Shkupit, Haraçina, e banuar më shumicë të madhe shqiptare, që ka votuar për LSDM-në. Por, deputet i partisë së Zaevit do të jetë shqiptar, Muhamed Zekiri.
Por, partisë së Zaevit i janë dhënë vota dhe në Tanushë, në fshatin shqiptar që është simbol i rezistencës së armatosur të vitit 2001 në Maqedoni, ku ka lindur Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Ndër subjektet shqiptare ka dalë e treta Aleanca për Shqiptarët, e cila do t’i ketë 3 deputetë, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit ka fituar vetëm dy vende në Kuvend.