Zgjedhjet në Maqedoni, Presidenti i ri vendoset nga shqiptarët

Emri i presidentit të ri të republikës së Maqedonisë së veriut do të mësohet më 5 maj, pas raundit të dytë të balotazhit. Pas votimit të së dielës, asnjë prej tre kandidatëve nuk mori shumicën e votave, nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve që morën pjesë në proces.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, me 99.96 për qind të votave të numëruara, kryeson kandidati i LSDM dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, me 42.85 për qind dhe e dyta, kandidatja e VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova me 42.24 për qind. I treti u rendit kandidati i mbështetur nga aleanca për shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka, me 10.57 për qind ose 79.913 vota.

“Unë pres që të filloj të punoj në të mirë të republikës së maqedonisë veriore dhe ambicjeve të saj euroatlantike si edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, nga pozicioni i presidentit, pasi ky vend nuk ka president që prej 10 vitesh”, u shpreh Pendarovski.

“E di se beteja sa ka filluar. Por, nëse ne arritëm të sigurojmë një numër të tillë votash dhe nëse këtu shtojmë dhe votat e zotit Blerim Reka si kandidat i pavarur i cili u mbështet nga dy parti shqiptare në opozitë, mesazhi është shumë i qartë. Që të dy ne folëm për sundimin e drejtësisë për shtet të së drejtës, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe kriminalitetit”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.

Raundi i dytë do të mbahet më 5 maj, ku do të përballen dy kandidatët e renditur të parët, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova. Nëse në balotazh, do të arrihet numri i nevojshëm i pjesëmarrësve në votim, 40 për qind, fitues shpallet ai që merr më shumë vota.

Në rast të kundërt, do të shpallen zgjedhje të reja presidenciale. Të dy kandidatët që do përballen në balotazh, kanë tani në shënjestër edhe votat e kandidatit shqiptar të dalë nga gara, blerim Reka, vota këto të cilat do të jenë vendimtare për përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale.

Ndaj siç ndodh shpesh, vëmendja pritet sërish të kthehet nga shqiptarët, në dy javët e fushatës para balotazhit.

Top Channel

SHKARKO APP