Zgjedhjet në Serbi, Arifi pas votimit shprehet pesimist: Pak qytetarë po votojnë, jemi përçarë
Këtë të dielë në Serbi sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat shqiptarët po garojnë të ndarë në dy lista zgjedhore.
Kreu në detyrë i Preshevës, Shqiprim Arifi nga lista “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” pas votimit është pesimist se shqiptarët do të përfaqësohen në parlamentin serb. Ai tha se shqiptarët janë të përçarë. Kjo sipas tij është “faturë ndaj lidershipit shqiptar”.
“Është fatkeqësi që ne e shohim sot, kemi kaluar tani mbi tre orë që janë hapur vendvotimet edhe ajo të cilën edhe e kam paralajmëruar edhe më herët, që shqiptarët qysh në 2022 kanë bojkotuar (zgjedhjet), sepse kemi qenë të përçarë. Po duket qe sivjet edhe një herë më shumë po duket që po bojkotojnë përçarjen tonë të cilën e kemi me dy lista në zgjedhje. Është një fatkeqësi siç po e shihni dhe ju vet nuk ka kurrfarë grumbullimi, kështu është edhe në 38 vendvotimet tjera”, tha Arifi.