Zgjedhjet për Presidentin, mbyllet votimi në Maqedoninë e Veriut

Tre kandidatët që garojnë të dielën për postin e presidentit në Maqedoninë e Veriut apeluan qytetarët për një dalje më masive në votime, pasi rezultatet paraprake tregojnë se vetëm një pjesë e vogël ka shprehur interes për procesin. Votimi është zhvilluar pa incidente apo pretendime madhore për parregullsi, sikurse fushata elektorale.

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 18.30 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 39.71 përqind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 600 mijë qytetarë nga afër 1.8 milion me të drejtë vote.

Bazuar në rrjedhën e procesit, sipas KSHZ-së, dalja në votime në këto zgjedhje pritet të arrijë pak mbi 40 për qind. KSHZ-ja ka bërë të ditur se procesi zgjedhor u zhvillua kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Në këtë raund të parë votimi, për postin kryesisht ceremonial të Kreut të Shtetit garojnë tri kandidatë.

Më i favorizuari mes tyre mbetet kandidati i qeverisë, Stevo Pendarovski, i cili pas votimit deklaroi pritshmëritë e tij.

Pendarovski: “Pres një avantazh bindës, i cili në raundin e dytë do të krijojë shanset për qytetarët që të shprehen masivisht dhe përfundimisht për rrugën që vendi ynë nisi dy vite më parë kundër izolimit dhe drejt Europës, aty ku na takon të jemi.”

E përzgjedhura e partisë opozitare VMRO, Gordana Siljanovska, gjithashtu mbetet favorite për karrigen e kreut të shtetit.

Ajo tha të dielën se me kandidaturën e saj do të tregojë se gratë kanë cilësi të veçanta dhe mënyra të tjera se si i menaxhojnë problemet.

Siljanovska tha se nëse nuk arrin të avancojë deri në raundin e dytë, do të votojë për kandidatin shqiptar, Blerim Reka, duke e çmuar si kompetent dhe me orientim qytetar.

Ky i fundit i cilësoi zgjedhjet e sotme një kapitull të ri për republikën e Maqedonisë së Veriut.

Reka: Secili nga tre kandidatët mund të fitojë nëse merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave apo rreth 900 mijë përkrahës nga lista e votuesve, por deri tani asnjë president maqedonas nuk e ka arritur këtë.

Me gjasë dy kandidatët me më shumë vota do të përballen në balotazhin e datës 5 maj, ku fituesi do të përcaktohet nga numri i votave me kushtin që 40 për qind e elektoratit të marrë pjesë në votime.

Fushata elektorale që nisi 20 ditë më parë ka qenë kryesisht e qetë dhe demokratike, me fokus të veçantë Marrëveshjen e Prespës, integrimin europian, raportet ndëretnike dhe krimin e korrupsionin në vend.

Kryeministri, Zoran Zaev, ka thënë se zgjedhjet presidenciale i sheh si një test për qeverisjen e vet, dhe ka thënë se nëse kandidati i tij, Stevo Pendarovski, nuk fiton, mund të shpallë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

SHKARKO APP