Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni: Partitë shqiptare ende pa kandidat
Partitë politike shqiptare ende nuk kanë përgjigje konkrete ndaj thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev për një kandidat të përbashkët konsensual.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi dje se do përpiqej që të gjenin një zgjidhje për një kandidat të përbashkët me LSDM-në. Ndërsa partneri tjetër qeveritar, fraksioni i partisë BESA, me Afrim Gashin, thotë se vendimi pritet të merret në organet e partisë.
‘Jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe organet e partisë do të marrin vendimin më të pranuar për strukturat tona’- thonë nga Lëvizja BESA, krahu i Afrim Gashit.
‘I kemi shqyrtuar disa opsione, në takimin e radhës së Kryesisë me siguri do të definohet qëndrimi’- thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërsa nga BESA e krahut të Bilall Kasamit, nënvizojnë se nuk kanë marrë ftesë konkrete nga kryeministri Zaev dhe partia e tij, LSDM-ja. Gjithashtu BESA e Kasemit, është duke pritur edhe vendimin e Aleancës për Shqiptarët për të dalë me kandidat të përbashkët.
‘Nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga kryeministri rreth çështje. Jemi të fokusuar në fuqizimin e votës shqiptare në maksimum dhe jemi duke punuar në atë drejtim. Nuk kemi dhe bisedime me Aleancën për Shqiptarët të Zijadin Selës. Nga komunikimi i fundit mbetet që të mbajnë mbledhje të Kryesisë dhe të na njoftojnë a janë të gatshëm të ulemi për biseda. ASH-ja ende nuk ka dhënë përgjigje’- pohuan nga Lëvizja BESA, krahu i Bilall Kasamit, raporton Alsat.
Nga LSDM-ja edhe sot, nuk ka asnjë përgjigje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa nga ana tjetër partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE-ja këmbëngul. Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski, u kërkon qytetarëve të dalin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të penguar varfërinë e vendit dhe politikat e gabuara të pushtetit të udhëhequr nga LSDM-ja e Zaevit.
‘Duhen zgjedhje të parakohshme, ku qytetarët të vendosin se në çfarë atdheu duan të jetojnë. Unë e di se nuk jeni për një Maqedoni të Veriut të varfër dhe të poshtëruar. Unë e di se jeni për Maqedoni të suksesshme dhe të pasur’, tha kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski.
Pasi kryetari i Kuvendit, të premten i shpalli zgjedhjet presidenciale, deri më 21 mars, subjektet politike duhet të dorëzojnë kandidatët e tyre në Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj.