Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, nesër raundi i parë
Nesër do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve Presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Mbi 1 milionë e tetëqind mijë qytetarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin dhe zgjedhjen e tyre lidhur me kandidaturat e Blerim Rekës, Stevo Pendarovski-t dhe Gordana Siljanovska-Davkova-s.
Shqiptari Reka kandidon si subjekt elektoral i pavarur, por gëzon në të njëtën kohë edhe mbështetjen e partive opozitare. Pretendenti tjetër, Pendarovski, është duartrokitur si president i mundshëm nga 31 parti, mes të cilave bëjnë pjesë BDI-ja dhe LSDM-ja. Ndërsa, kandidatura e Davkova-s në këto presidenciale është përshëndetur nga OBRM-PDUKM-i, si edhe nga parti të tjera të opozitës maqedonase.
Sipas kodit zgjedhor, secilit prej kandidatëve i nevojiten mbi 900 mijë vota që të mund të shpallen fitues që në raundin e parë të votimit. Në rastin kur asnjëri prej tyre nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme të votave, kushtetuta u mundëson vijimin e garës dy kandidatëve që kanë kryesuar në raundin e parë. Kjo procedurë zgjedhore duhet të përsëritet në rrethanat e pamjaftueshmërisë edhe në raundin e dytë të votimit.