Zhbogar ne Shkup: Fushatë korrekte dhe zgjedhje të besueshme për zgjidhje të krizës

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Samuel Zhbogar theksoi se momenti kyç drejt zgjidhjes së krizës politike në vend janë fushata korrekte dhe zgjedhjet e besueshme që duhet të ndodhin në dhjetor.

Ai më pas shtoi se kriza ka shkaktuar goditje serioze jo vetëm në sistemin politik, por edhe në vet themelet e sundimit të së drejtës dhe rendit demokratik dhe paralizon vendin tashmë një kohë të gjatë.

“Zgjedhjet e dhjetorit do të jenë test për përgjegjësinë, test për pjekurinë, për liderët, për institucionet, për nëpunësit publik, për mediat dhe qytetarët. Unë shpresoj se do të arrini që vendin tuaj ta ktheni në rrugën eurointegruese, drejt reformave të rëndësishme dhe drejt prosperitetit. Unë jam optimist dhe me të vërtet besoj se me një angazhim të fuqishëm politik dhe përpjekje nga të gjithë faktorët relevant, shoqëria civile dhe qytetarët, problemet do të zgjidhen dhe kriza do të përfundojë”, porositi euroambasadori Zhbogar.

Këto deklarata Zhbogar i bëri në konferencën e sotme me temë “Metodat e avancuara për monitorimin e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore” në organizim të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në kuadër të IPA tuining projektit “Mbështetje për parandalim efikas dhe luftë kundër korrupsionit”.

SHKARKO APP