Zyrtarët maqedonas: Ish-kryeministri nuk ka dalë nga pikat kufitare

Organet e rendit në Shkup thonë se Nikolla Gruevski nuk është larguar nga vendi përmes pikë-kalimeve zyrtare kufitare. Ish-kryeministrit i është konfiskuar pasaporta prej më se një një viti, që kur filluan proceset gjyqësore kundër tij.

Autoritetet hungareze e konfirmuan se Gruevski ndodhet në Budapest ku ka kërkuar strehim politik. Ministria maqedonase e punëve të brendshme tashme është njoftuar për këtë.

Ndërsa kërkohej nga policia në Maqedoni, ai vetë një ditë më parë tregoi përmes facebook se ishte në Hungari e sqaroi se ditët e fundit kishte marre disa kërcënime me jetë. Ish shefi i ekzekutivit maqedonas ka pasur raporte shumë të mira me kryeministrin hungarez Victor Orban përsa kohë ishte në krye të qeverisë në Shkup, por edhe më pas.

Duke iu shmangur përgjegjësisë për këtë largim, ministri i brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski, fajësoi gjykatën penale “që nuk i caktoi Gruevskit masën e paraburgimit, duke ditur se ai mund të arratisej”. Organet maqedonase të rendit thonë se pa autorizim gjyqësor, policia nuk mund të ndjekë asnjë person. Gjykata nga ana e saj thotë se nuk ishte kërkuar masë paraburgimi për të akuzuarin.

Gruevski, i cili aktualisht është deputet në parlament, nuk ishte pare qe prej te enjtes kur truprojat e angazhuara nga Ministria e rendit e kishin shoqëruar deri para shtëpisë, pas një procesi gjyqësor që zhvillohej kundër tij. Të hënën doli fletë-arresti. Nikolla Gruevski duhet ta vuajë dënimin prej dy vjetësh burg për shkak të ushtrimit të ndikimit për blerjen përmes një tenderi të jashtëligjshëm të një makine Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mijë eurosh, para të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. / Top Channel

Zyrtarët maqedonas: Ish-kryeministri nuk ka dalë nga pikat kufitare - Top Channel Albania

SHKARKO APP