Zyrtari i DASH takon Osmanin, presidentja: Kosova do të vijojë të jetë palë konstruktive
Gabriel Escobar, nisi vizitën e tij në Kosovë. I emëruari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor u prit fillimisht nga Presidentja Vjosa Osmani, me të cilin zhvilloi një takim me dyer të mbyllura.
Temë kanë qenë tensionet e fundit me Serbinë dhe mundësitë për arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve, siç pohoi edhe vetë Osmani me anë të një postimi në Facebook.
“Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.
Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike. Partneriteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor”, ishte mesazhi i saj.