Rusia tregon “dobësinë” e Amerikës

Rusia ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të furnizuar me bomba thërrmuese Ukrainën është një shfaqje “dobësie” që do ta bëjë Uashingtonin “bashkëpunëtor” në vdekjet e civilëve që kjo armë mund të shkaktojë.

“Dërgimi i armëve thërrmuese është një akt i dëshpëruar dhe një shfaqje dobësie në kontekstin e dështimit të kundërofensivës së shumëpërfolur ukrainase”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Diplomacia ruse ka denoncuar atë që mendon se është një “përpjekje cinike për të zgjatur agoninë e autoriteteve aktuale ukrainase, pa shqetësim për viktimat civile” të këtyre bombave, të cilat vrasin verbërisht dhe shpërndajnë ngarkesa shpërthyese para ose pas goditjes.

“Duke ofruar bomba thërrmuese, Uashingtoni do të bëhet “de facto” bashkëpunëtor dhe do të ndajë plotësisht përgjegjësinë për vdekjet e shkaktuara nga shpërthimet, përfshirë ato të fëmijëve rusë dhe ukrainas”, shtoi Zakharova.

Bombat thërrmuese janë të ndaluara në disa vende, veçanërisht ato evropiane nënshkruese të Konventës së Oslos të vitit 2008, në të cilën nuk janë palë as Shtetet e Bashkuara, as Ukraina dhe as Rusia. Përdorimi i tyre është shumë i diskutueshëm sepse ato shkaktojnë shumë viktima civile.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i dha dritën jeshile dërgesës këtë të premte, një vendim që ishte “shumë i vështirë”, por që ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”. Megjithatë, disa vende perëndimore që janë pjesë e NATO-s dhe Konventës së Oslos kanë dalë kundër lëvizjes amerikane.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, deklaroi këtë të shtunë se vendi i tij “dekurajon” Ukrainën të përdorë bomba thërrmuese: “Ne do të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë për të mbështetur Ukrainën kundër pushtimit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë, por ne e kemi bërë këtë duke siguruar tanke të rënda dhe së fundmi armatim me rreze të gjatë dhe shpresojmë që të gjitha vendet të mund të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën”.

Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, ka bërë me dije se vendi “nuk e mbështet” vendimin e Amerikës dhe është pozicionuar “kundër” dërgesës: “Spanja, bazuar në angazhimin e vendosur që ka me Ukrainën, ka gjithashtu një angazhim të vendosur që disa armë dhe bomba nuk mund të dorëzohen në asnjë rrethanë”.

SHKARKO APP