Dita Botërore e Epilepsisë, Neurologët: Epilepsia e menaxhueshme, 60% e pacientëve bëjnë jetë normale
Në Ditën Botërore të Epilepsisë, vëmendja i kushtohet një prej sëmundjeve neurologjike më të shpeshta në vend. Të dhënat tregojnë se 6 në 1000 banorë jetojnë me epilepsi, ndërsa specialistët theksojnë se me trajtim të përshtatshëm, pjesa më e madhe e pacientëve mund të zhvillojnë një jetë thuajse normale.
Sipas mjekëve, rreth 6 për 1000 persona në vendin tonë preken nga kjo sëmundje, e cila shfaqet më shpesh tek moshat e reja dhe të moshuarit. Neurologia Aida Quka shpjegon se epilepsia është një sëmundje kronike, e karakterizuar nga kriza epileptike të përsëritura, që nuk lidhen drejtpërdrejt me shkaqe të menjëhershme si infeksionet apo çrregullimet metabolike.
Ajo thekson se tek të moshuarit, shfaqja e epilepsisë lidhet shpesh me procesin e degjenerimit të trurit dhe me sëmundje të tjera shoqëruese, të cilat mund të nxisin zhvillimin e krizave epileptike.
Për grupmoshën 30–60 vjeç, epilepsia zakonisht është pasojë e faktorëve dytësorë, si traumat e kokës, infeksionet apo tumoret, ndaj kërkon ekzaminime të specializuara për një diagnostikim të saktë.
Specialistët sqarojnë se një krizë e vetme epileptike nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person vuan nga epilepsia. Ndër faktorët kryesorë të rrezikut përmenden alkooli dhe abuzimi me substanca, të cilat shkaktojnë dëmtime të qëndrueshme dhe afatgjata në tru.
Sipas mjekes Quka, krizat e shkaktuara nga përdorimi i alkoolit apo drogës konsiderohen të provokuara dhe nuk klasifikohen si epilepsi, nëse ndodhin vetëm një herë.
Mjekët paralajmërojnë gjithashtu se krizat që zgjasin më shumë se pesë minuta përbëjnë një gjendje urgjente neurologjike, të njohur si status epileptik, dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme spitalore.
Kriza epileptike nuk shoqërohet gjithmonë me humbje të vetëdijes. Ajo mund të manifestohet edhe me simptoma të lehta, si mpirje të gjymtyrëve, ndjesi ankthi, konfuzion, halucinacione apo lëvizje të pavullnetshme të duarve dhe këmbëve, të cilat zakonisht zgjasin për një kohë të shkurtër.
Specialistët theksojnë se me ndjekjen e rregullt të trajtimit, rreth 60% e pacientëve me epilepsi arrijnë të bëjnë një jetë pothuajse normale.
KOHA JONË SONDAZH

